“Tre Destini”, një film shqiptar që pushton dy kontinentet në një ditë – Një triumf i kinemasë shqiptare nga Antonjo Gjonaj

Nga Etleva Rrapa

Premiera e filmit “3 Destini”, në të njëjtën ditë në Itali dhe SHBA, shënon një kapitull të ri për kinemanë shqiptare ndërkombëtare. Më 21 nëntor 2025, historia e kinemasë shqiptare shënon një precedent të paprecedentë. Për herë të parë, një film i prodhuar nga një shqiptar do të shfaqet njëkohësisht në të dy anët e Atlantikut — në të gjitha kinematë e Italisë dhe në premierë zyrtare në New York.

“3 Destini”, prodhim i Incanto Pictures me producent Antonjo Gjonaj, sjell jo vetëm një ngjarje artistike, por edhe një moment krenarie për gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.

Ky film, i dyti në karrierën e producentit Gjonaj, pas sukseseve të mëparshme si #47, rrëfen një histori të fuqishme që nis në Shqipërinë e viteve ’90 dhe përshkon dekada, vende dhe gjenerata, për të mbërritur në realitetin e sotëm italian. Është një rrëfim mbi mbijetesën, dhunën, sfidat e emigrimit, dashurinë, integrimin dhe identitetin.

Në qendër të tij janë tre fate, tre personazhe, tre rrugë — por një histori njerëzore e thellë që rezonon me mijëra jetë emigrantësh shqiptarë.

Një bashkëpunim i rrallë dhe i guximshëm

“3 Destini” është një film që thyen kufijtë tradicionalë të produksioneve shqiptare. Me një skenar të shkruar nga autorja italiane Roberta Calligari, aktorë shqiptarë që flasin italisht dhe një version të dubluar në anglisht, filmi ndërthur mjeshtërisht gjuhët, kulturat dhe emocionet në një narrativë të unifikuar.

Një nga aspektet më të veçanta të këtij projekti është përfshirja e Radio Televizionit Shqiptar dhe arkivave të tij për herë të parë në një produksion të diasporës, nën regjinë e gazetarit dhe regjizorit të njohur Artur Bejzade, si dhe producentit Antonjo Gjonaj.

Kjo lloj sinergjie është një hap i madh drejt ndërtimit të urave mes artit shqiptar brenda dhe jashtë kufijve.

Një kastë që mishëron shpirtin shqiptar

Filmi paraqet jo vetëm aktorë profesionistë të njohur për publikun shqiptar, por edhe fytyra të reja me ndikim në fusha të tjera të jetës. Një shembull i spikatur është sportisti Vilson Ndregjoni, i cili në rolin e tij mishëron forcën, disiplinën dhe shpirtin luftarak të sportit, duke e transferuar në artin e të luajturit.

E veçanta e këtij filmi qëndron edhe në përfshirjen e aktorëve italianë, të cilët interpretojnë role të thellësisht të lidhura me kulturën dhe traditën shqiptare — një reflektim i integrimit të ndërsjellë që kalon përtej ekranit.

Nga Venecia në New York: Antonjo Gjonaj, një emër që po shkruan histori në kinematografi

Antonjo Gjonaj nuk është më një emër i panjohur në qarqet ndërkombëtare. Ai është shqiptari i parë që ka parakaluar në tapetin e kuq të edicionit të 80-të të Festivalit të Filmit në Venecia, me simbolin e shqiptarisë në kokë — plisin e bardhë.

Një gjest që u bë viral dhe përçoi një mesazh të fuqishëm krenarie kombëtare.

Bashkëpunimet e tij me rrjete prestigjioze si Netflix, Mediaset dhe RAI e kanë pozicionuar si një nga figurat më premtuese të kinematografisë shqiptare në diasporë. Me “3 Destini”, ai forcon më tej këtë pozitë, duke ndërtuar ura mes tregjeve ndërkombëtare dhe kulturës shqiptare.

Emocion dhe krenari për diasporën shqiptare

Premiera në New York, më 21 nëntor, pritet me interes të jashtëzakonshëm nga komuniteti shqiptar në SHBA. Shqiptarët nga Chicago, Philadelphia, Garfield, Michigan, New Jersey, Florida e shumë shtete të tjera janë shprehur të emocionuar për të parë në ekran një film që u flet drejtpërdrejt për rrugëtimin e tyre.

Ky projekt nuk është vetëm një arritje kinematografike, por është një pasqyrë emocionale, historike dhe kulturore që u përket të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.

Ftesë publikut: Mos mungoni në këtë moment historik

“3 Destini” nuk është vetëm një film; ai është një dëshmi e rrugës së përbashkët të një kombi që nuk harron rrënjët, edhe kur sfidon botën përtej detit.

Një histori që na bashkon dhe na kujton forcën tonë kolektive.

Më 21 nëntor, shqiptarët në Itali dhe SHBA do të jenë njëkohësisht pjesë e të njëjtit emocion.

Një ngjarje që duhet parë, përjetuar dhe shpërndarë.

Sepse “3 Destini” është, në të vërtetë, fati ynë i përbashkët.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME