Transformim rrënjësor në shërbimin kirurgjikal ,realizohet me sukses operacioni i parë laparoskopik në spitalin bashkiak të Librazhdit

 

Pas rikonstruksionit të plotë të sallës së operacioneve, Spitali Bashkiak i Librazhdit sipas Drejtorit  Ermir Sulollari  po  hyn në një fazë të re zhvillimi, duke ofruar tashmë standarde dhe kushte të shkëlqyera pune për stafin mjekësor si dhe shërbime cilësore për pacientët e zonës dhe më gjerë.

Investimi i kryer ka sjellë modernizimin e ambienteve kirurgjikale, duke i afruar ato me parametrat e spitaleve bashkëkohore. Në repartin e kirurgjisë tashmë mund të realizohen ndërhyrje të ndryshme me siguri dhe efikasitet të lartë, falë kombinimit të infrastrukturës së përmirësuar dhe profesionalizmit të mjekëve me përvojë të gjatë në këtë fushë.

Një hap i rëndësishëm përpara është edhe pajisja e repartit me aparatura moderne për kirurgjinë mini-invazive, të cilat hapin një kapitull të ri në trajtimin e pacientëve në Librazhd. Këto teknologji u mundësojnë mjekëve të kryejnë ndërhyrje më të sakta, më pak invazive dhe me rezultate më të shpejta për pacientët.

Në këtë kuadër, fundjavën që lamë pas u realizua me sukses operacioni i parë laparoskopik në Spitalin Bashkiak të Librazhdit, një moment historik për këtë institucion shëndetësor. Ndërhyrja konsistoi në heqjen e fshikëzës së tëmthit me teknikën moderne të laparoskopisë.

Operacioni u krye nga Dr. Avni Marta në bashkëpunim me stafin e specializuar ku pjesë ishte edhe endoskopisti dhe laparoskopisti i repartit. Ky sukses erdhi edhe falë mbështetjes dhe përkushtimit të Prof. Dr. Arben Gjata, një nga emrat më të njohur të kirurgjisë në QSUT dhe në mbarë vendin i cili ka dhënë kontribut të vyer në rritjen profesionale të ekipit vendas.

Kirurgjia laparoskopike, si një nga teknikat më të avancuara të kohës sjell përfitime të shumta për pacientët. Ndërhyrjet e tilla shoqërohen me dhimbje më të lehta pas operacionit, shenja minimale në trup dhe një periudhë rikuperimi shumë më të shpejtë, duke reduktuar kohën e qëndrimit në spital dhe kthimin më të shpejtë në jetën normale.

Ky zhvillim shënon një tjetër arritje të rëndësishme për sistemin shëndetësor në Librazhd, duke rritur besimin e qytetarëve tek shërbimi publik dhe duke sjellë më pranë standardet europiane të kujdesit shëndetësor.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME