Tragjedi në Itali: Tre karabinierë humbin jetën nga një shpërthim pranë Veronës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Castel D’Azzano, një fshat pranë Veronës, në veri të Italisë, ku tre karabinierë humbën jetën pas një shpërthimi të fuqishëm.

Forcat e rendit kishin shkuar në zonë për të kryer një nxjerrje nga një ndërtesë dykatëshe, ku ndodheshin tre persona që kishin zaptuar pronën. Gjatë ndërhyrjes, ndodhi shpërthimi që shembi ndërtesën, duke zënë nën rrënoja tre karabinierët.

Sipas hetimeve paraprake, shpërthimi dyshohet se u shkaktua qëllimisht nga një grua 60-vjeçare, e cila ndodhej në ndërtesë. Brenda shtëpisë u gjetën të paktën pesë shishe gazi të hapura dhe disa bomba molotov, çka ka forcuar dyshimet për një veprim të qëllimshëm.

Nga ngjarja u plagosën edhe 11 policë të tjerë, të cilët u dërguan në spital. Sipas autoriteteve shëndetësore, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën. Gruaja që shkaktoi shpërthimin dhe një prej burrave që jetonin me të janë gjithashtu të plagosur dhe po marrin trajtim mjekësor.

Ndërkohë, vëllai i gruas, që jetonte në të njëjtën banesë, është larguar nga vendngjarja dhe është shpallur në kërkim nga policia italiane.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, e cilësoi këtë një ngjarje dramatike.

“Shpërthimi duket se ka ndodhur për shkak të një rrjedhjeje të qëllimshme gazi. Ata nuk donin të largoheshin nga shtëpia që kishin pushtuar, por askush nuk priste një zhvillim kaq ekstrem,” – deklaroi Piantedosi.

Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa është ndjerë në një rreze prej pesë kilometrash, duke shkaktuar dëme materiale edhe në banesat përreth.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME