Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin sportiv në Kosovë, pasi futbollisti i klubit të veteranëve KFV Barileva, Liridon Gubetini, ka humbur jetën në moshën 43-vjeçare gjatë një ndeshjeje futbolli.
Sipas informacioneve zyrtare, Gubetini ka humbur ndjenjat në përfundim të pjesës së parë të sfidës së Kupës mes KFV Barileva dhe KFV Deçani. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme dhe përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, ai nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.
Lajmi i trishtë është konfirmuar nga vetë klubi KFV Barileva, i cili përmes një reagimi publik ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e një prej figurave më të përkushtuara të skuadrës.
“Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Gubetini, miqve, bashkëlojtarëve dhe gjithë komunitetit sportiv. Liridoni ishte pjesë e pandashme e klubit tonë që nga themelimi i ekipit të veteranëve dhe do të kujtohet gjithmonë si një njeri i respektuar dhe shembull për të gjithë,” thuhet në deklaratën e klubit.
Humbja e parakohshme e Liridon Gubetinit ka lënë një boshllëk të madh jo vetëm te familja e tij, por edhe te të gjithë ata që e njohën dhe ndanë me të pasionin për futbollin. Komuniteti sportiv kosovar është në zi për një tjetër jetë të humbur në mënyrë të papritur në fushën e lojës.

