Gjatë tre ditëve të ardhshme, ambasadorët shqiptarë të akredituar nëpër botë do të jenë në Tiranë për të marrë pjesë në konferencën vjetore Diplo2025.
Me temën “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, konferenca zhvillohet në formën e paneleve me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë. Diskutimet do të përqendrohen te integrimi evropian i Shqipërisë dhe i rajonit, diplomacia ekonomike, si dhe çështjet e sigurisë rajonale dhe globale.
Ky është një moment i rëndësishëm për shërbimin e jashtëm, ku përcaktohen prioritetet, adresohen sfidat kryesore dhe forcohet shërbimi konsullor për qytetarët shqiptarë. Diplo2025 do të zhvillohet në ambientet e Bankës së Shqipërisë (ish-hotel Dajti).

