Pesha ekonomike dhe demografike e rajonit Tiranë–Durrës po rritet me shpejtësi, duke thelluar pabarazitë me pjesën tjetër të vendit. Ky rajon është shndërruar në epiqendrën e shërbimeve, financave, tregtisë, ndërtimit dhe gjithnjë e më shumë të teknologjisë.
Në Tiranë e Durrës ndodhen qendrat kryesore tregtare dhe bizneset e mëdha, institucionet financiare, qeveritare e arsimore, si dhe porti më i madh i vendit dhe aeroporti i vetëm ndërkombëtar. Këtu përqendrohen investitorët e huaj dhe shumica e projekteve publike.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 në rajonin Tiranë–Durrës funksiononin 58.2% e bizneseve aktive, nga 57.5% një vit më parë, ndërsa këtu jeton 41.5% e popullsisë së Shqipërisë. Ky përqendrim ka nxitur rritje më të shpejtë ekonomike, por edhe ka thelluar kontrastin me qarqet e tjera të vendit.
Ndërkohë, zonat rurale po përballen me braktisjen e tokave bujqësore dhe tkurrjen e fermave të vogla, duke e çuar sektorin e bujqësisë në vitin e pestë radhazi të rënies. Mungesa e mbështetjes financiare ka përshpejtuar këtë trend.
Urbanizimi i shpejtë në Tiranë–Durrës nuk po shoqërohet me planifikim afatgjatë. Qarkullimi rrugor është i mbingarkuar, shërbimet publike (ujë, energji, transport publik, menaxhimi i mbetjeve) kanë arritur kufijtë e kapaciteteve, ndërsa ndotja e ajrit dhe menaxhimi i territorit janë kthyer në sfida madhore. Autostrada Tiranë–Durrës, arteria kryesore e vendit, është në gjendje të rënduar, me gropa nga mbikalimi i Rinasit deri në Durrës.
Kostot e jetesës në këto qytete janë shumë më të larta, sidomos për strehimin, ku qiratë dhe çmimet e banesave janë rritur ndjeshëm për shkak të kërkesës së lartë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se shpenzimet mujore të familjeve shqiptare në shkallë kombëtare u rritën me 27% gjatë viteve 2014–2022, ndërsa çmimet me 19.8%. Megjithatë, në qarqet e Veriut shpenzimet reale ranë me rreth 10%, duke reflektuar rënie të konsumit. Në Lezhë konsumi u ul me 15%, në Shkodër me 11.3%, në Dibër me 10.1%, ndërsa në Kukës u rrit me vetëm 2.6%.
Në kryeqytet, një familje shpenzonte mesatarisht 104,426 lekë në muaj në vitin 2022, por rritja reale e shpenzimeve në Tiranë gjatë viteve 2014–2022 ishte vetëm 8%.
Këto të dhëna konfirmojnë zhvillimin e pabarabartë ndërmjet rajoneve, që po nxit edhe më shumë zhvendosjen e popullsisë drejt qendrës. Ndërkohë, rajonet e Veriut kanë potencial të madh për turizëm malor dhe zhvillim të qëndrueshëm, por mbeten të pashfrytëzuara. MONITOR