Akademia e Futbollit Elbasani ka reaguar ashpër pas ndeshjes së zhvilluar mbrëmjen e kaluar ndaj Dinamo Citu , duke ngritur akuza të forta ndaj arbitrimit dhe funksionimit të sistemit VAR.
Në një deklaratë zyrtare, drejtuesit e klubit verdheblu shprehen të zhgënjyer dhe të revoltuar për penalltinë e akorduar në favor të Dinamo City , të cilën e cilësojnë si një vendim të padrejtë dhe të ndikuar nga një gjykim i njëanshëm. Sipas tyre, ndërhyrja e VAR-it në këtë rast jo vetëm që nuk ka ndihmuar në vendosjen e drejtësisë sportive, por përkundrazi ka thelluar dyshimet për paanshmërinë e procesit.

AF Elbasani shkon më tej në reagimin e tij, duke vënë në dukje edhe faktin se në këtë ndeshje ka qenë i përfshirë një arbitër i shpallur më herët “non grata”, çka sipas klubit hedh hije të forta dyshimi mbi integritetin e vendimmarrjes në fushë dhe në dhomën e VAR-it.
Klubi elbasanas thekson se episode të tilla nuk janë të izoluara, duke pretenduar se në disa raste të mëparshme është ndjerë i penalizuar nga i njëjti arbitër apo nga vendime të diskutueshme të sistemit VAR. Për këtë arsye, AF Elbasani kërkon transparencë të plotë dhe një analizë të detajuar të situatës konkrete, si dhe të rasteve të ngjashme në të kaluarën.
Në përfundim, drejtuesit e klubit paralajmërojnë se do ta ndjekin çështjen në instancat përkatëse, me qëllim mbrojtjen e interesave sportive dhe garantimin e një gare të ndershme në kampionat.

