Seanca plenare e sotme nisi me tensione, pas publikimit të një dokumenti zyrtar nga Kuvendi, ku mes figurave kombëtare përmendet edhe diktatori Enver Hoxha.
Sqarimi i Kryetarit të Kuvendit
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, theksoi se ka ndodhur një keqkuptim.
“Dua të shpreh ndjesë dhe keqardhje për keqkuptimin e krijuar. Teksti ishte informativ, jo për të mbrojtur ose vlerësuar dikë. Enver Hoxha u përmend vetëm me datëlindje. I kërkova Institutit Parlamentar një rishikim të plotë për të shmangur çdo keqinterpretim”, deklaroi Peleshi.
Reagimi i Sali Berishës
Kryedemokrati Sali Berisha nuk pranoi sqarimin e Peleshit, duke e konsideruar dokumentin një shkelje të ligjit që ndalon propagandën për diktaturën.
“Ti e hap parlamentin me një apologji hipokrite. Enver Hoxhën e futët me urdhër të Ramës. Nuk është gabim librarie, por ka një ligj. Si mund të futej Hitleri në Bundestag? Po të futej ai, çfarë do të ndodhte?”, tha Berisha.
Përmbajtja e dokumentit
Dokumenti me titullin “Figurat Kombëtare”, i dërguar me e-mail te 140 deputetë, e përshkruan Hoxhën si:
- “Hero i Popullit”
- “Hero i Punës Socialiste”
Biografia përmend gjithashtu rolin e tij si udhëheqës i shtetit shqiptar, i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës.