Superfuqitë ulen në tryezë: SHBA–Kinë arrijnë konsensus për tregtinë dhe mineralet e rralla

Dy nga fuqitë më të mëdha botërore u ulën sërish në një tryezë pas një ndërprerjeje pesëvjeçare në dialog. Në Busan të Koresë së Jugut, presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri kinez Xi Jinping zhvilluan takimin e tyre të parë që nga viti 2019, një takim që zgjati më pak se dy orë, por që prodhoi sinjale qetësuese për tregjet globale.

Edhe pse të dy udhëheqësit nuk mbajtën konferencë për shtyp, deklaratat e Shtëpisë së Bardhë dhe Pekinit treguan se palët kanë arritur disa marrëveshje kyçe. Trump konfirmoi se tarifat ndaj Kinës do të ulen nga 20% në 10%, ndërsa palët janë pranë finalizimit të një marrëveshjeje të re tregtare.

“Ne kemi arritur marrëveshje në shumë drejtime. Kina do të fillojë menjëherë blerjen e sasive të mëdha të produkteve bujqësore amerikane. Jemi pajtuar gjithashtu të punojmë bashkë për të frenuar trafikimin e fentanilit. Për çipët, kinezët do të negociojnë drejtpërdrejt me kompanitë amerikane, si Nvidia. Gjithashtu, kemi zgjidhur çështjen e mineraleve të rralla, e cila është me rëndësi për të gjithë botën,” tha Trump.

Presidenti amerikan bëri të ditur se në prill do të vizitojë Kinën, ndërsa Xi Jinping pritet të udhëtojë në Florida ose Washington.

Nga ana e tij, lideri kinez vlerësoi rithemelimin e dialogut dhe theksoi se bashkëpunimi është i vetmi opsion i qëndrueshëm mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

“Kina dhe SHBA mund të punojnë së bashku për projekte konkrete që përfitojnë të dy vendet dhe botën. Ne nuk kërkojmë të zëvendësojmë askënd, por të zhvillojmë vendin tonë në mënyrë të qëndrueshme,” deklaroi Xi, sipas agjencisë Xinhua.

Pekini ka rënë gjithashtu dakord të pezullojë për një vit kufizimet ndaj eksporteve të metaleve të rralla, një nga pikat më të ndjeshme të luftës tregtare që ka ndikim global në industrinë e teknologjisë dhe mbrojtjes.

Një moment i veçantë u shënua në fund të takimit, kur Trump i pëshpëriti Xi Jingping-ut diçka në vesh gjatë shtrëngimit të duarve, një detaj që ka ngjallur kuriozitet, pasi përmbajtja e mesazhit nuk është bërë e ditur.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME