Sulejman Demollari është një emër që është gdhendur në kujtesën e të gjithë admiruesve të futbollit në vendin tonë. Një simbol i skuadrës së Dinamos dhe ish-trajner i Kombëtares shqiptare, Demollari ka rrëfyer gjithçka në karrierën e tij në kanalet zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit; që nga hapat e parë si futbollist e deri te eksperienca e tij me ekipet kombëtare.
Intervista e plotë e Sulejman Demollarit për FSHF
Dinamo e Demollarit
Si nisi karriera në futboll dhe si u bëtë pjesë e ekipit të Dinamos?
Futbollin, kuptohet, si çdo fëmijë në moshë të vogël, 7–8 vjeç, në rrugicat e lagjes, në ambientet afër pallateve. Pastaj futbollin e organizuar; ishin klasat sportive në atë kohë dhe unë u bëra pjesë e klasës sportive të shkollës “Alqi Kondi”, që sot është “Pjetër Budi”. Aty e nisa karrierën si futbollist i organizuar.
I jeni bashkuar Dinamos në moshën 16-vjeçare dhe në debutimin tuaj si titullar, në vitin 1981, kur ishit vetëm 17 vjeç, shënuat edhe golin tuaj të parë me këtë ekip. A e shënoi ky gol të ardhmen tuaj te Dinamo?
Është shumë e bukur edhe historia se si e nisa karrierën time. U afrova tek ekipi i Dinamos së asaj kohe me legjendat që, po t’i përmendësh, janë një numër i madh, duke nisur nga i ndjeri Vasillaq Zëri, Ilir Luarasi, Përnaska, Ballgjini, Targaj, Bregu, Gega, i ndjeri Agron Azbiu, Bashkim Delia, Andrea Marko e shumë të tjerë. Ishte një ekip që në përbërje kishte lojtarë të ekipeve tona kombëtare, Shpresat dhe ekipi kombëtar A. Ishte një emocion i madh, sepse unë u rrita me atë klub dhe fitova shumë. Dinamo ishte një ekip që të jepte shumë: respekt, pasion, dashuri për futbollin dhe, mbi të gjitha, ishte një ekip ku të gjithë ishin të familjarizuar me njëri-tjetrin.

Mund të na tregosh ndonjë sakrificë që ke bërë për Dinamon?
Sakrificat jo vetëm unë, por çdo futbollist në atë kohë i bënte për ngjyrat e ekipit. Sakrifica nga ana fizike dhe nga ana e të pamundurit për të luajtur. Edhe unë kam rastin tim, që e kam të veçantë. Një ndeshje derbi me 17 Nëntorin. Pata një dëmtim në kavilje dhe profesori i ndjerë, Fatmir Frashëri, më tha që nuk mund të luaja atë ditë. Por, përpara ndeshjes, në momentet e grumbullimit bashkë në hotel, vjen Zëvendësministri i Brendshëm i asaj kohe, Hysen Shahu, një njeri pasionant pas futbollit që bënte shumë për sportin dhe futbollin në veçanti, dhe gjatë një shëtitjeje që bënim shprehu dëshirën e tij duke thënë: “Profesori më tha që nuk do luash për arsye dëmtimi, por unë mendoj që ti të jesh, sepse prania jote në fushë për kundërshtarin është diçka e fortë nga ana emocionale.”
E nisa ndeshjen i dëmtuar, me kavilje të enjtur. Dhe, për fatin e mirë, ne fituam 5–3, ku 3 gola i shënova unë. Kjo është ndeshja më pikante e karrierës time.
Karrierën tuaj në klube e keni mes dy Dinamove. Në Bukuresht u kthyet në një idhull. Çfarë kujtoni nga ajo eksperiencë?
Ishte një eksperiencë e bukur. Pas viteve ’90 na u dha mundësia që të luanim nëpër ekipe të ndryshme të Europës. Si unë, edhe shumë shokë e futbollistë të tjerë lëvizëm nëpër vende të ndryshme. Mua m’u dha mundësia direkt për një kontratë shumë të mirë për kohën me Dinamo Bukureshtin. Ishte një ekip elite dhe legjendë për futbollin rumun. Në atë grup gjeta lojtarë të ekipit kombëtar të Rumanisë. Për fat, u përshtata mirë që në fillim. U shpalla kampion, golashënuesi më i mirë dhe lojtari më i mirë i huaj i të gjitha kohërave në futbollin rumun.

Kombëtarja e Demollarit
Ju kanë konsideruar si numrin 11 më të mirë teknikisht dhe rreth jush rrotullohej e gjithë loja sulmuese e Shqipërisë. Si ndiheni për këtë?
Është kënaqësi. Vlerë edhe për mua, pasi roli i një playmakeri është shumë i rëndësishëm për ekipin.
Jeni i pari dhe i vetmi ekip i Shpresave që keni arritur të prekni çerekfinalet e Europianit U-21, duke lënë pas Francën e Mishel Platinisë dhe Belgjikën. Çfarë kujtoni nga kjo periudhë?
Ishte një brez shumë i mirë. E filluam një grup prej 7–8 lojtarësh nga kombëtarja e të rinjve, te Shpresat dhe kombëtarja e madhe. Kaluam zinxhir ekipet kombëtare. Kur arritëm te Shpresat, patëm rezultate shumë të mira. Në grup kishim Gjermaninë, Austrinë dhe Turqinë dhe i eliminuam këto ekipe duke dalë në vend të parë. Në atë kohë ishte me grumbullim pikësh. Në çerekfinale na ra Italia e Mançinit, Vinjolës dhe Rampullës, ku u eliminuam me dy humbje minimale.

Jeni futbollist i rekordeve, kapiten dhe keni shënuar një ndër golat më të bukur dhe padrejtësisht të anuluar në Wembley. Si e kujtoni këtë periudhë?
Për ekzekutimin ishte fantastik. Duke e parë edhe shpesh, është një gol që kishte arsye pse të anulohej. Ngelet në kujtesën time si një nga golat më të bukur për mënyrën si u ekzekutua.
Keni thyer një rekord: jeni përzgjedhur 6 herë lojtari më i mirë i kampionatit shqiptar kur ishit vetëm 19 vjeç. Si funksiononte në atë kohë kjo përzgjedhje?
Në atë kohë ishte anketa e 10 sportistëve më të mirë të vitit, ku nga të gjitha sportet dilte lojtari më i mirë i kampionatit. Dhe unë, për atë kohë, e kam fituar 6 herë çmimin e futbollistit më të mirë të vitit.

Kombëtarja aktuale në sytë e Demollarit
Si e shihni Kombëtaren sot krahasuar me brezin tuaj? Çfarë ka ndryshe sot?
Çdo gjë sot ka evoluar. Edhe kampionati, por edhe kombëtarja dhe lojtarët. Sot futbolli, në krahasim me futbollin e kohës sonë, është shumë më fizik; parametrat në çdo komponent janë rritur. Lojtarëve sot u jepet mundësia shumë herë më shumë se në vitet kur kemi luajtur ne. Mbi të gjitha, nga ana profesionale, ka një zhvillim të jashtëzakonshëm.
Sa shanse ka ky ekip të kualifikohet në play-off?
Vërtet kemi përballë një ekip me tradita dhe me emër. Polonia është një ekip me arritje dhe suksese të mëdha. Unë dëshirën e kam që çdo futbollist të japë mbi mundësitë e tij në këtë ndeshje. Po të kemi edhe fat, mund të arrijmë kualifikimin.

Nëse sot do ishit trajneri në dhomën e zhveshjes para play-off-it, çfarë do t’i thoshit ekipit?
Çuna, në këtë ndeshje është e rëndësishme që secili të japë maksimumin e tij. Të japë mbi 100% dhe të jemi një grup i vetëm. Po të jemi grup, mund të arrijmë edhe rezultatin.


