Në Spitalin Rajonal të Elbasanit është realizuar me sukses një ndërhyrje e vështirë ortopedike, që konsistonte në trajtimin e fractura comminutive të regjionit trokanterik të femurit të djathtë. Bëhet fjalë për një thyerje komplekse, e cila kërkon një ndërhyrje të specializuar dhe bashkëpunim të plotë të ekipit mjekësor.

Ky operacion i suksesshëm përbën një tjetër hap të rëndësishëm në rritjen e cilësisë, gamës dhe kompleksitetit të shërbimeve ortopedike në Spitalin Rajonal Elbasan.
Duke demonstruar aftësi të avancuara profesionale, ekipi i ortopedisë forcon më tej besimin e qytetarëve në sistemin shëndetësor lokal dhe në kapacitetet e spitalit për të trajtuar raste të vështira me standarde të larta bashkëkohore.

Për ekipin që realizoi me profesionalizëm këtë ndërhyrje është shprehur mirënjohje publike edhe nga Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Elbasanit, Zheni Gjergji. Ky sukses i jashtëzakonshëm është meritë e:
- Dr. Sokrat Bërdufi, kirurg primar
- Dr. Arlind Kullolli dhe Dr. Ervin Jonuzi, asistentë
- Dr. Behar Gjevori dhe Dr. Aurel Marku, mjekë anestezistë
- Anita Balla dhe Flutura Hamidi, infermiere të sallës
- Melsen Kasmi, teknik operacioni

Falë përkushtimit, eksperiencës dhe bashkëpunimit të tyre multidisiplinar, rasti i ndërlikuar u trajtua me sukses, duke garantuar siguri dhe kujdes cilësor për pacientin.
Spitali Rajonal Elbasan vijon të jetë një pikë referimi për shërbimet ortopedike në rajon, duke dëshmuar se profesionalizmi dhe investimi te njerëzit janë çelësi i rezultateve pozitive.




