Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka publikuar përgjigjet zyrtare për disa pyetje të gazetarëve, duke dhënë detaje mbi hetimet aktuale. Aktualisht janë nën hetim 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, mes tyre 3 deputetë, një ish-deputet dhe një ish-ministër.
Lidhur me pyetjen mbi numrin e letërporosive për marrje bisedash nga aplikacione të enkriptuara (SKY ECC, EncroChat, ANOM), SPAK referon raportet vjetore 2022-2024 të publikuara në faqen zyrtare.
Për çështjen e 21 janarit, Prokuroria e Posaçme nënvizon se veprimet hetimore të fazës paraprake janë sekret hetimor sipas neneve 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, prandaj nuk mund të jepen detaje mbi veprimet apo rezultatet e tyre.
Në lidhje me ministrin e përfolur disa muaj më parë, SPAK konfirmon vetëm se një ish-ministër është nën hetim, pa dhënë të dhëna mbi identitetin apo masat e mundshme të sigurimit.