Sofjan Jaupaj: Rihapim gjuetinë në mënyrë të kontrolluar

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj prezantoi sot projektligjin e ri “Për gjuetinë”, i cili synon zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj veprimtarie, duke ruajtur faunën e egër, biodiversitetin dhe ekuilibrin ekologjik të ekosistemeve natyrore.

Gjatë diskutimit të projektligjit në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, ministri Jaupaj theksoi se ligji përcakton rregullat dhe kërkesat për ushtrimin e gjuetisë, përfshin masa për monitorimin dhe kontrollin e saj, si dhe krijon konceptin e ri të “menaxherit të zonës së gjuetisë”, i cili do të menaxhojë dhe organizojë aktivitetin në mënyrë profesionale dhe të ligjshme.

Sipas ministrit, vendimi për të propozuar këtë legjislacion të ri, që parashikon rihapjen e gjuetisë në mënyrë të kontrolluar, bazohet në të dhënat e monitorimit të faunës së egër në vend, ku është vërejtur rikuperimi i popullatave të disa llojeve që më parë ishin objekt gjuetie.

“Pas disa viteve të moratoriumit është vërejtur një rikuperim i popullatave të disa llojeve të faunës që ishin më parë objekt gjuetie, çka krijon mundësinë për një rikthim te aktivitetit të gjuetisë në mënyrë të kontrolluar. Projektligji synon gjithashtu të inkurajojë përfshirjen e gjuetarëve në menaxhimin dhe mbrojtjen e faunës, të luftojë gjuetinë e paligjshme dhe të mbështesë zhvillimin rural dhe ekonomik përmes përdorimit të qëndrueshëm të kafshëve të egra”, u shpreh Jaupaj.

Ai tha se, pas kryerjes së testimit gjuetari i drejtohet me një kërkesë me shkrim njësisë përgjegjëse për gjuetinë pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore të zonës, e cila duhet të përmbajë certifikatën e testimit, lejen për mbajtjen e armës së gjuetisë, kartën e identitetit dhe mandatpagesën e tarifës së lejes.

Projektligji parashikon gjithashtu decentralizimin e kompetencave, duke kaluar përgjegjësitë nga qeverisja qendrore tek bashkitë. Zonat e gjuetisë do të jepen me qira përmes menaxhuesve privatë, për periudha deri në 10 vjet, në sipërfaqe që variojnë nga 500 hektarë në zonat fushore deri në 1000 hektarë në zonat malore.

Jaupaj theksoi se modeli i propozuar synon të nxisë zhvillimin rural dhe turizmin e qëndrueshëm, duke kthyer gjuetinë në një burim të ardhurash për zonat lokale, ashtu si në vendet e Bashkimit Europian, teksa vuri në dukje se janë rritur masat e kontrollit dhe gjobat.

Projektligji përcakton gjithashtu kërkesat për pajisjen me leje gjuetie dhe ndan tre lloje gjuetie: reduktuese, kur një specie prish ekuilibrin e ekosistemit; kërkimore, për qëllime shkencore; dhe emergjente, në raste rreziku për jetën apo infeksione.

“Ky projektligj është në përputhje me standardet europiane dhe garanton zhvillimin e një gjuetie të përgjegjshme që ruan biodiversitetin dhe pasuritë natyrore të vendit”, u shpreh ministri Jaupaj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME