“Skënderbegasit ndër vite…” me autorë Kujtim Boriçi dhe Maksi Fejzulla,bashkon historinë dhe brezat ,promovohet me madhështi volumi i 5-të në Ministrinë e Mbrojtjes

Në një nga aktivitetet më të rëndësishme për kujtesën historike dhe traditën ushtarake shqiptare, u promovua në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes volumi i pestë i kolanës “Skënderbegasit ndër vite…”, me autorë Kujtim Boriçi dhe Maksi Fejzulla. Ceremonia u zhvillua në kuadër të 81-vjetorit të themelimit të Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, duke mbledhur së bashku qindra ish-skënderbegas të brezave të ndryshëm, ushtarakë aktivë, personalitete të larta shtetërore, deputetë, përfaqësues të medias dhe të botës akademike.

Auditoriumi i Akademisë së Forcave të Armatosura ishte i mbipopulluar, në një atmosferë emocionuese ku shumë pjesëmarrës u detyruan ta ndiqnin aktivitetin në këmbë, çka dëshmoi interesin dhe rëndësinë e këtij botimi. Në këtë event të veçantë morën pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejdi Joti, si dhe zëvendësministri i Brendshëm, njëkohësisht ish-skënderbegas, Xhemal Qefalia.

Aktiviteti u hap me Himnin Kombëtar dhe u moderua nga gazetari Albert Zholi. Më pas, përfaqësues të institucioneve dhe figura të njohura mbajtën fjalë përshëndetëse, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të kësaj kolane në dokumentimin e historisë së një prej institucioneve më elitare të arsimit ushtarak shqiptar. Pedagogia Liliana Konomi-Mera bëri një prezantim të detajuar të volumit të pestë, duke theksuar se ky botim sjell një pasuri të rrallë dokumentesh arkivore, kujtimesh autentike dhe materialesh të përzgjedhura me kujdes, që hedhin dritë mbi jetën dhe kontributin e mijëra skënderbegasve ndër vite.

 

Një nga risitë më të rëndësishme të këtij vëllimi është përfshirja e dokumenteve origjinale historike, përfshirë edhe akte zyrtare që lidhen me themelimin dhe mbylljen e shkollës “Skënderbej”. Libri trajton në mënyrë të detajuar rrugëtimin e këtij institucioni që nga viti 1945, kur u krijua si “Shkolla e Pionierëve Partizanë”, deri në konsolidimin e saj si një “fidanishte” e vërtetë e ushtrisë dhe elitës shqiptare.

Në këtë volum pasqyrohen gjithashtu portrete dhe dëshmi të ish-skënderbegasve që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të jetës publike—nga Forcat e Armatosura dhe diplomacia, te arti, sporti dhe politika. Një kapitull i veçantë i kushtohet edhe rolit të tyre në ngjarje të rëndësishme kombëtare, përfshirë përgatitjen e drejtuesve të ardhshëm të UÇK-së.Ceremonia u pasurua edhe me interpretime artistike dhe poezi nga ish-skënderbegas, ndërsa në ekran u shfaqën pamje arkivore që rikthenin historinë dhe emocionet e kësaj shkolle ndër dekada.

Mesazhe të forta për unitet, ruajtjen e vlerave dhe rëndësinë e trashëgimisë historike u përcollën edhe nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Edmond Brahimaj, si dhe nga drejtues të institucioneve ushtarake.

Në përmbyllje, zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejdi Joti, shpërndau certifikata mirënjohjeje, ndërsa autorët u vlerësuan për përkushtimin dhe punën e tyre kërkimore disavjeçare.

Volumi i pestë i “Skënderbegasit ndër vite…” konfirmon jo vetëm vazhdimësinë e një projekti të rëndësishëm publicistik, por edhe nevojën për të ruajtur dhe dokumentuar kujtesën kolektive të një institucioni që ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e Shqipërisë. Ky botim vjen si një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes, duke frymëzuar brezat e rinj për të mbajtur gjallë vlerat e atdhedashurisë, sakrificës dhe shërbimit ndaj kombit.

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME