David Lammy është emëruar zëvendëskryeministër i Britanisë së Madhe, duke zëvendësuar Angela Rayner, e cila dha dorëheqjen nga ky post, si dhe nga detyra e sekretarit për strehim dhe zëvendësudhëheqëses së Partisë Laburiste.
Largimi i Rayner vjen pas një skandali taksash lidhur me një apartament të saj në Hove, në jug të Anglisë. Deputetja për Ashton-under-Lyne pranoi se nuk kishte paguar taksën e duhur mbi blerjen e apartamentit prej 800,000 paundësh dhe e referoi rastin vetë te këshilltari i etikës së kryeministrit. Raporti i etikës konfirmoi se ajo kishte shkelur kodin ministror duke mos u përgjigjur siç duhet ndaj paralajmërimeve ligjore. Në letrën e dorëheqjes, Rayner pranoi përgjegjësinë për këtë gabim.
Përveç postit të zv.kryeministres, Lammy do të drejtojë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Ndërkohë, Yvette Cooper është emëruar ministre e Punëve të Jashtme, dhe Shabana Mahmood do të marrë detyrën e ministres së Brendshme, duke zëvendësuar Cooper.
Kryetari i Partisë Laburiste, Keir Starmer, u shpreh i trishtuar për largimin e Rayner, por theksoi se ajo do të mbetet një figurë kyçe brenda partisë. Ky ndryshim në kabinet ndodh në një moment kritik për qeverinë, e cila po përballet me sfida të mëdha politike dhe ekonomike.