Një operacion i mirëorganizuar i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB) ka goditur një skemë kriminale të futjes së lëndëve narkotike brenda Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Bradashesh, duke çuar në arrestimin e tre personave, mes tyre edhe një punonjës policie .
Sipas njoftimit zyrtar, pas një hetimi të thelluar disa-mujor, të zhvilluar me metoda speciale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u zbulua mekanizmi i bashkëpunimit për futjen e narkotikëve në institucion me qëllim përfitimin financiar.

Në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të datës 22.01.2026, bazuar në vendimin nr. 784, datë 19.12.2025, u vendos masa e sigurisë “Arrest me burg” për:
• Ndriçim Kroi, punonjës policie në IEVP Elbasan
• Esmeralda Komici, familjare dhe bashkëjetuese e një të paraburgosuri, e arrestuar për përfshirje në skemë
• Gerald Samolla, i paraburgosur në IEVP Elbasan, i denoncuar më herët për dhunë në familje
Nga hetimet rezulton se një punonjës policie, një i paraburgosur dhe familjarja e tij bashkëpunonin për futjen e lëndëve narkotike brenda burgut, duke shfrytëzuar lidhjet dhe pozicionet e tyre.

SHKBB bën me dije se operacioni është vetëm faza e parë e hetimit dhe priten arrestime të tjera, pasi po hetohen edhe persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në paligjshmëri brenda IEVP Bradashesh.
Në përfundim të njoftimit, SHKBB dhe Ministria e Drejtësisë rikonfirmojnë angazhimin për zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit në sistemin penitenciar, duke theksuar se çdo shkelje do të ndëshkohet sipas ligjit.

