Një situatë tejet alarmante është shënuar në orët e fundit në fshatin Kullollas të Gramshit, ku flakët e zjarrit kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë jo vetëm masivet pyjore, por edhe një zonë të banuar.
Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe terrenit të thyer, duke krijuar panik dhe pasiguri për banorët e zonës.
Sipas raportimeve jo zyrtare nga vendngjarja, situata konsiderohet kritike dhe kërkohet ndihmë urgjente për ndërhyrje me mjete të specializuara dhe forca shtesë nga të gjitha strukturat e emergjencës.
Flakët kanë rrezikuar banesat, ndërkohë që dyshohet për viktima, edhe pse informacionet zyrtare ende mungojnë për shkak të vështirësisë në terren dhe mungesës së aksesit të plotë. Madje, mësohet se në fshatrat Kullollas dhe Bletëz po digjen disa shtëpi.
Banorët e fshatrave përreth janë angazhuar në mënyrë vullnetare për të ndihmuar në përballimin e situatës, por mjetet e pakta dhe kushtet e vështira e bëjnë përballjen me zjarrin pothuajse të pamundur pa ndërhyrje të specializuar nga ajri apo nga forcat e emergjencës kombëtare.
Bashkia Gramsh dhe autoritetet vendore kanë bërë thirrje të menjëhershme për ndërhyrje nga prefektura, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, ndërsa evakuimi i disa banorëve tashmë ka nisur për të shmangur tragjedi të mundshme.
Në këtë moment, çdo minutë është kritike. Situata kërkon koordinim të shpejtë, mobilizim maksimal dhe përfshirjen e të gjitha burimeve të mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Kullollasi sot është në emergjencë dhe kërkohet veprim i menjëhershëm nga të gjitha strukturat shtetërore.
albaniaexpress.al