Agjencia e Mbrojtjes Civile ka përditësuar informacionin lidhur me situatën nga moti i keq në vend, sipas qarqeve. Në informacionin e shpërndarë për mediat bëhet me dije se situata në të gjithë vendin paraqitet në përmirësim, pavarësisht se në disa zona reshjet e shiut kanë vijuar.
“Nivelet e ujit në disa zona kanë nisur të ulen, një pjesë e madhe e akseve rrugore ku ka pasur probleme janë rikthyer të kalueshme, ndërsa ekipet e emergjencave civile, Forcat e Armatosura, OSHEE dhe strukturat vendore po vijojnë punën për stabilizimin e plotë të situatës, normalizimin e furnizimit me energji, pastrimin e rrëshqitjeve dhe garantimin e sigurisë së banorëve”, thotë Ministria e Mbrojtjes.
Situata sipas qarqeve:
QARKU VLORË
Niveli i lumit Vjosa në Novoselë vazhdon me tendencë uljeje; aktualisht niveli është 7.65 m.
Po vijon puna në bashkitë Delvinë, Finiq dhe Konispol, ku për shkak të shirave të djeshme ka pasur prezencë dherash në rrugët që lidhin disa fshatra.
Dje është punuar për rehabilitimin e aksit rrugor që lidh fshatrat Kakodhiq dhe Lefterhor. Në mbështetje të bashkisë kanë shkuar 30 forca dhe 3 mjete nga FA.
Në fshatin Vrion është bërë evakuimi i banorëve në një banesë, për shkak të pranisë së ujit.
Hidrovorët e bashkisë Vlorë janë në punë me kapacitet të plotë.
QARKU FIER
Vazhdon ulja në lumenjtë Vjosë dhe Seman.
Rreth 110 ha tokë janë me prezencë uji në fshatrat Kashisht–Çerven dhe Ferras. Nuk ka pasur evakuime banorësh, por është punuar për largimin e ujit nga oborret e banesave.
Autoritetet vendore janë në monitorim të argjinaturave pranë lumenjve; deri tani nuk ka pasur cënim të infrastrukturës kritike.
Strukturat vendore janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet teknike dhe logjistike.
Në afërsi të Vjosës, në fshatin Ferras, janë vendosur kapacitetet e Ministrisë së Mbrojtjes me mjete të kalueshmërisë së lartë, varka shpëtimi dhe trupa të FA.
QARKU KORÇË
Ekipet janë në monitorim të prurjeve në lumenjtë Devoll dhe Dunavec.
Ka prani uji në toka bujqësore dhe banesa në Lumalas, Bulgarec, Shamoll, Çiflig, Turan, Vloçisht dhe Sovjan. Në Sovjan janë evakuuar 15 familje.
Bashkia Pustec: Situata në fshatin Shulin mbahet nën kontroll; uji depërton herë pas here në katet përdhese.
Bashkia Pogradec: Prurje të larta nga lumenjtë e Vërdovës, Rëmenjit dhe qytetit. Po punohet për pastrimin e dherave në Dardhas, Proptisht, Çërravë.
Tek hidrovori i Tushemishtit po punohet me 4 pompa në punë.
Bashkia Kolonjë: Rezervuarët Helmes dhe Kabash–Leskovik punojnë me kapacitet maksimal.
Po punohet për riparimin e urave në Qafzezë, Shtikë, Gostivisht, Psar.
Pas kërkimeve disaorëshe, ekipet e kërkim–shpëtimit dhe FA gjetën trupin e një gruaje 76-vjeçare në Progër.
QARKU LEZHË
Ka pasur ndërhyrje të përqendruar të forcave për shkak të situatës së ndërlikuar.
Rreth 220 ha sipërfaqe janë nën ujë (90 ha Zejmen, 70 ha Shënkollë dhe 60 ha Barbulloje për shkak të dëmtimit të argjinaturës në Tale).
Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë, përveç atij të Tales. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji vijon normalisht.
Në bashkinë Lezhë strukturat e MC po punojnë tek argjinatura e Lagunës Vain. Riparimi i parë ka përfunduar, por vijon puna për ngritjen e saj në lartësi.
Ekipet me varka kanë evakuuar disa banorë që kanë kërkuar ndihmë.
Në bashkinë Kurbin ka prezencë uji pjesërisht në zonën e ulët të Gjormit. Po punohet në shtratin e lumit Drojë dhe në rrugën alternative të fshatit Shpërdhet.
Në aksin Skuraj–Vinjollë–Gallatë po punohet me mjete të FA dhe të bashkisë; ura është riparuar.
Në bashkinë Mirditë vazhdojnë ndërhyrjet në rrugët e dëmtuara në Rrëshen, Kaçinar dhe Fan.
QARKU DIBËR
Situata është në përmirësim.
Po punohet për thellimin e kanalit kullues dhe largimin e ujit në Bashkinë Bulqizë.
Po monitorohet situata në fshatin Urakë dhe liqenin e Ulzës, ku niveli i ujit është rritur. Në terren janë mjete dhe forca të FA për të shmangur rrezikun e përmbytjeve.
QARKU SHKODËR
Në bashkinë Fushë-Arrëz situata është më problematike në Qafë Mali, ku po pastrohen dhera në disa segmente rrugore.
Në bashkinë Malësi e Madhe është shënuar rritje e prurjeve të përroit të Thatë.
QARKU BERAT
Situata është në përmirësim.
Ka rënie të theksuar të nivelit të Osumit dhe Devollit.
Shërbimet e bashkisë Dimal dhe MZSH do të nisin pastrimin e baltës dhe llumit nga rrugët dhe oborret.
QARKU GJIROKASTËR
Në bashkinë Dropull, ura që lidh aksin kombëtar me fshatrat Glinë, Peshkëpi e Poshtme, Peshkëpi e Sipërme dhe Radat, si edhe me Nepravishtën e Libohovës, ka pësuar ulje. Policia ka ndaluar qarkullimin mbi urë dhe po punohet për një rrugë alternative.
Në bashkinë Libohovë është riparuar ura në fshatin Suhë.
Në Përmet është riparuar rruga Frashër–Përmet, duke lejuar kalimin e mjeteve.
QARKU ELBASAN
Në Bashkinë Gramsh po punohet në segmentin pranë urës së Shëmrizës.
Po punohet edhe në rrugën Kodovjat–Mashan dhe në aksin Gramsh–Moglicë, ku pas ndërhyrjes kalimi është normalizuar.
Edhe në aksin Elbasan–Peqin po pastrohen gurët e rënë në kthesën e Broshkës.
QARKU TIRANË
Po monitorohen prurjet e lumit Shkumbin në Rrogozhinë, i cili dje doli përkohësisht nga shtrati.
Ekipet e OSHEE po punojnë pa ndërprerje për rikthimin e energjisë në zonat me probleme nga moti i keq.

