Reshjet e dëborës të rëna gjatë orëve të fundit kanë krijuar vështirësi në disa zona të territorit të Bashkisë Elbasan, kryesisht në akset rrugore që lidhin qytetin me fshatrat më malore.
Sipas informacioneve zyrtare, akset Elbasan–Gjinar, Elbasan–Funar, Rruga e Vjetër e Tiranës si dhe Elbasan–Gur i Zi janë të hapura për qarkullimin e mjeteve, por drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të përdorin zinxhirë, veçanërisht në segmentet me prani dëbore dhe ngricash.

Ndërkohë, po vijon puna për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të rrugëve Griqan–Labinot Mal dhe Mollagjesh–Korrë, ku ndërhyrja e mjeteve të rënda është e nevojshme për garantimin e qarkullimit normal.
Gjithashtu, janë pastruar masivet e dheut pranë kanalit “Me Këmba”, ku si pasojë e reshjeve rruga automobilistike ishte mbuluar nga balta. Mjetet e shërbimit zjarrfikës gjatë paradites së dielë kanë kryer larjen e plotë të rrugës, duke rikthyer normalitetin në këtë segment rrugor mjaftvtë qarkullueshëm.

Autoritetet vendore të bashkisë Elbasan bëjnë thirrje për kujdes në lëvizje, respektim të sinjalistikës dhe ndjekje të njoftimeve zyrtare, ndërsa strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri për çdo situatë që mund të krijohet nga kushtet e motit.

