Situata nga moti i keq: Evakuime dhe ndërhyrje në disa qarqe të vendit

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur përditësimin më të fundit mbi situatën e krijuar nga reshjet intensive. Në disa zona situata është stabilizuar, ndërsa qarqet Vlorë, Lezhë dhe Fier mbeten më të prekura, duke kërkuar evakuimin e disa familjeve për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Qarku Vlorë – Tërheqje e ujërave të Vjosës, 10 familje të evakuuara

Lumi Vjosa ka pësuar rritje të ndjeshme të prurjeve, duke detyruar evakuimin e 7 familjeve në Novoselë dhe 3 të tjera pranë urës së Mifolit. Të gjithë banorët janë sistemuar pranë të afërmve.

Në Himarë është bërë e mundur hapja e rrugës Shën Vasil–Nivicë, ndërsa vazhdojnë pastrimet në akse të tjera.

Në Sarandë monitorohet situata në aksin Sarandë–Delvinë dhe po punohet për forcimin e argjinaturës së Bistricës si edhe rikthimin e energjisë në tunelin e Llogarasë.

Ndërhyrje janë kryer dhe në Ksamil, Metoq e Vrion për largimin e ujërave.

Qarku Fier – Prurjet e Vjosës nën monitorim të rreptë

Prurjet e Vjosës kanë shkaktuar përmbytje në 50–60 hektarë tokë bujqësore në zonat Kashisht–Çervën–Ferras.

Një familje është evakuuar, ndërsa 30 oborre banesash kanë prezencë uji.

Për siguri janë stakuar pompat e ujësjellësit në Kafaraj.

Prurjet në lumin Seman janë rritur, por nuk paraqesin rrezik për banesat.

Qarku Korçë – Rritje prurjesh në Devoll dhe Dunavec

Në Dërsnik, Bulgarec dhe lagjen nr. 6 po kryhen devijime të përkohshme të ujërave.

Në Sheqeras ekipet po punojnë për ndërhyrje urgjente.

Pastrimi i rrugëve nga gurët vijon në akset Qafë Plloçë–Qukës dhe Pogradec–Qafë Thanë.

Qarku Lezhë – Argjinatura e Vainit në rrezik, evakuime me varka

Në Shënkoll dhe Zejmen niveli i ujit vazhdon të rritet për shkak të çarjes së argjinaturës së lagunës së Vainit.

Në disa zona janë kryer evakuime me varka, ndërsa punimet për riparimin e argjinaturës vijojnë intensivisht.

Ndërhyrje po kryhen edhe në aksin Skuraj–Gallatë–Vinjollë.

Në Mirditë situata është stabilizuar dhe niveli i Drinit është në rënie.

Qarku Durrës – Situata drejt normalizimit

Lumenjtë Erzen, Ishëm dhe Zezë nuk paraqesin rritje niveli.

Po pastrohen kanalet e Tonës dhe Tarinit, ndërsa lumi Erzen është tërhequr.

Në Krujë ka përfunduar forcimi i argjinaturës së lumit Droje.

Në zonat bujqësore ujërat janë tërhequr ndjeshëm.

Qarku Dibër – Ndërhyrje në zona malore

Në Bulqizë situata është stabilizuar, ndërsa puna vazhdon në rrugët e qytetit të vjetër.

Ndërhyrje janë kryer në Luzni, Zall Dardhë dhe Muhur.

Me ndihmën e Forcave të Armatosura është normalizuar situata në Bruç.

Në Klos vijon pastrimi pas rrëshqitjeve të dherave.

Qarku Shkodër – Reshje intensive, forcimi i terrenit

Në Fushë-Arrëz po pastrohen rrugët nga prurjet, ndërsa në Malësinë e Madhe është rritur niveli i përroit të Thatë.

Qarku Berat – Monitorim i vazhdueshëm i lumit Osum

Niveli i Osumit është rritur ndjeshëm, duke rrezikuar zonën e lagjes Goricë.

Ndërhyrje po kryhen nga UKT në lagjen 28 Nëntori.

Në Poliçan ujërat janë tërhequr, ndërsa në Dimal ende ka prezencë uji në disa sipërfaqe bujqësore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME