Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, zhvilloi konferencën e radhës për mediat në prag të ndeshjeve të shtatorit, ku publikoi listën e lojtarëve të grumbulluar dhe u përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
“Ne kemi bërë rreth 50% të rrugëtimit dhe kemi 4 ndeshje për të luajtur. Po luftojmë kundër kohës, por fokusi ynë është për të fituar,” deklaroi Silvinjo. Ai theksoi rëndësinë e ndeshjes në shtëpi dhe kujdesin për lojtarët që po rikuperohen nga dëmtimet, si Ismajli, i cili ka kaluar një transferim kohët e fundit dhe duhet të jetë i plotë për të dhënë maksimumin.
Trajneri theksoi se ndryshimet në listë bëhen vetëm kur një lojtar nuk ka më të dhënë për Kombëtaren, duke shtuar se beson te të gjithë lojtarët aktualë. “Nuk është momenti për të eksperimentuar, pasi kemi ndeshje të forta përpara. Ndryshimet do të vijnë kur një lojtar nuk është i gatshëm të stërvitet ose të japë maksimumin në fushë,” shpjegoi ai.
Për ndeshjen kundër Letonisë, Silvinjo paralajmëroi se do të ketë disa ndryshime dhe do të japë shansin lojtarëve si Bajrami, Berisha dhe Pajaziti, të cilët kanë përvojë me Kombëtaren U21, por nuk kanë luajtur ende 45 minuta me ekipin e parë. Ai gjithashtu foli për situatën e Nedim Bajramit dhe Ernest Muçit, duke theksuar besimin tek aftësitë e tyre në fushë.
Përsa i përket lojtarëve të rinj, trajneri shpjegoi se vendimet nuk janë të lehta. “Puna me përgatitjen e listës nis shumë kohë më përpara. Të sjellësh lojtarë të rinj në këtë moment është sfidë, sepse kemi nevojë për lojtarë që janë mësuar me stilin e lojës dhe marrin përgjegjësi,” tha Silvinjo, duke shtuar se do të vijë momenti i duhur për djemtë e rinj.
Në fund, trajneri foli edhe për rëndësinë e ndeshjeve miqësore, si ajo me Gjibraltarin, për të testuar lojtarët që nuk kanë luajtur shumë minuta dhe për të vlerësuar opsionet e reja nga klubet shqiptare si Egnatia, Tirana, Dinamo dhe Partizani. Ai përmendi gjithashtu portierin Dajsinani, i cili është i shpejtë dhe ka personalitet në fushë.