Ambasadori i parë i SHBA-së në Shqipëri, Christopher Hill, në një rrëfim për “Exclusive” ne TCH tregoi kohën kur mbërriti për herë të parë në vendin tonë, pas rënies së diktaturës komuniste në vitin ’91 dhe hapjes së Ambasadës së parë Amerikane në Tiranë.
Gjatë intervistës me gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo, Hill ndalet te liderët e PD-së në vitet e para të tranzicionit, ku veçon miqësinë e tij me Gramoz Pashkon në rolin e zv.kryeministrit të Stabilitetit.
Kush ishin kontaktet tuaja të para në Shqipëri?
Hill: Epo, natyrisht, ne po merreshim me qeverinë dhe formuesit e qeverisë, ndaj një nga të parët ishte një zotëri që ka vdekur shumë vite më parë, Gramoz Pashko. Ai më ftoi në shtëpinë e tij, e pëlqente muzikën rock perëndimore, mbaj mend që më pyeti: ‘A të pëlqejnë Dire Straits?’ Dhe unë i thashë, ‘Të preferuarit e mi,’ kështu që fillova ta njoh, dhe u prezantova më tej edhe me personalitete të tjerë që po ndihmonin në drejtimin e qeverisë. Genc Ruli ishte një prej tyre si ministër i Financave. Pastaj, për shkak të pritjes së mrekullueshme që Sekretari i Shtetit, James Baker, mori në Sheshin Skënderbej, që ishte një ditë e jashtëzakonshme, mendoj se amerikanët u përfshinë plotësisht në detyrën e ndërtimit të marrëdhënies.
Çfarë përshtypje krijuat për Ramiz Alinë, Sali Berishën dhe Fatos Nanon?
Hill: Të gjithë ishin aty dhe ishin njerëz me të cilët unë kisha të bëja. Sigurisht, njerëzit të gjithë ishin të mirë me mua, përfshirë Ramiz Alinë. Ai ishte shumë i mirë. Zoti Bufi, i cili ishte përgjegjës për këtë qeveri tranzitore. Berisha ishte shumë pozitiv ndaj amerikanëve. Qartësisht, ai do të luante një rol të madh; nuk kisha asnjë ide se cili do të ishte pozicioni i tij, por do të ishte një faktor kryesor. Dhe Fatos Nano ishte interesant sepse vinte nga sistemi i vjetër, nga Partia e Punës, por pastaj po përpiqej të ishte edhe në sistemin e ri, kështu që kishte një këmbë në të dy sistemet. Mbaj mend që kishte pak skepticizëm për këtë, por duhet t’ju them, kur je një diplomat amerikan, thjesht përpiqesh të bësh gjërat të ndodhin dhe nuk je gati të thuash, ai është i mirë, ai është i keq. Thjesht përpiqesh të njohësh njerëzit.
A kishit ju një preferencë mes liderëve të PD-së të asaj kohe, Berishës, Pashkos apo Selamit?
Hill: Për mua me rëndësi të them se është shumë e vështirë të zgjedhësh qeverinë tënde. Është e pamundur të zgjedhësh qeverinë e dikujt tjetër. Dhe kam qëndruar larg këtij procesi gjatë gjithë karrierës sime. Dëshironim të qëndronim larg preferencave sepse ishte një fazë që e dinim se po vinte shumë shpejt, që kishte shumë kritika brenda vendit, dhe përpiqeshim të qëndronim larg asaj. Do të thoja, si koncept i përgjithshëm, ne mbështesnim që PD-ja të fitonte zgjedhjet në ’92. Socialistët ende nuk kishin pasur divorcin e tyre real nga Partia e Punës. Struktura ishte ende e mbivendosur. Njerëzit në Partinë Socialiste zakonisht kishin qenë pjesë e Partisë së Punës. Pra, do të thoja se shumica e përpjekjeve tona ishin përqendruar te partitë e reja, përfshirë Partinë Demokratike. Por sa i përket mënyrës se si vepronin, përpiqesha të shmangja të dukesha në një tubim publik sepse mendova se kjo ishte njëfarë ndërhyrjeje në punët e brendshme, dhe kjo ishte diçka që socialistët na akuzonin vazhdimisht. Por përpiqeshim të ishim të kujdesshëm që të mos projektonim këtë imazh. Dëshironim të shihnim Shqipërinë të bashkohej me vendet demokratike, të shihnim demokracinë të mbizotëronte. Natyrisht, kjo ishte shumë e rëndësishme për ne. Por sa i përket përfshirjes në përzgjedhje duke thënë, ai është më i mirë se ai tjetri, le ta bëjmë atë… Kjo nuk ishte puna ime. Dhe kur më pyesnin për këtë, nuk kisha problem të jepja opinionin tim, por nuk do të thoja, zgjidhni këtë dhe mos zgjidhni atë. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse, e dini, gjithmonë gabon kur bën gjëra të tilla



