Nga Fatmir Popja
Në një kohë kur moderniteti ka marrë përpara zakone, rituale e mënyra jetese të tëra, në malet e Librazhdit vijon të ruhet një traditë e lashtë: transhumanca, shtegtimi mijëravjeçar i barinjve me bagëti, një traditë që fatmirësisht ende mbijeton vetëm në pak zona të Librazhdit dhe të gjithë Shqipërisë.
Është rituali i harruar i një jete nomade, një mënyrë për të jetuar në ritëm me natyrën, që vazhdon të ruajë gjurmët e veta në Parkun Kombëtar të Shebenikut, në Xhyrë, Dardhë, Polis e deri në kodrat e thella të zonave të tjera të Bashkisë së Librazhdit.
Nga mali drejt ultësirës, udhëtimi i gjatë i një tradite të lashtë të barinjve librazhdas
Prej qindra vitesh, barinjtë e kësaj zone, me tufat e bagëtive, nisen çdo fund vjeshte për t’iu larguar dimrit të ashpër të lartësive. Në prag të stinës së dimrit, bagëtitë, në tufa të mëdha, zbresin nga stanet e verës të malësisë së Librazhdit drejt zonave të buta të Shqipërisë së Mesme, sikurse janë Myzeqeja, Dumreja e Sulova.

Ky itinerar, i pandryshuar në kohë, ka qenë dikur mënyra e vetme e mbijetesës për popullsitë baritore të krahinës.
Çdo verë, nga zemra e Shqipërisë, nisen drejt staneve dhe kullotave alpine në malësinë e Librazhdit, në këmbë, qindra e mijëra krerë dhen. Dhjetëra barinj udhëtojnë për ditë të tëra, duke përshkuar dhjetëra e qindra kilometra drejt staneve verore. Ndërsa në çdo fund nëntori e fillim dhjetori, me borën e parë, karvani kthehet sërish drejt fushave të gjelbra, edhe gjatë dimrit.
Peizazhi i Librazhdit, një pasaportë natyrore me mjaft vlerë e krijuar nga barinjtë e zonës
Aty ku sot ngjiten me qindra e mijëra turistë, alpinistë, skiatorë e aventurierë të makinave off-road, dikur ngjitej vetëm bariu.
Por transhumanca ka lënë gjurmët e saj të pashlyeshme: shtigje të gdhendura në shpatet malore, lëndina të gjera që shtrihen nga Parku Kombëtar Shebenik, Xhyra e Dardha, deri në Polis, ku ka kullota të pasura që sot e bëjnë Librazhdin një destinacion serioz të turizmit malor.
Gent Gjini, nga fshati turistik i Steblevës, guidë lokale dhe pjesë e Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan, e përmbledh më së miri këtë bashkëjetesë të re:
“Me vitet, shumë gjëra kanë ndryshuar, por shtegtimi bart shumë traditë brenda. Mali nuk i takon më vetëm barinjve, por edhe vizitorëve nga e gjithë bota që vijnë për të prekur ritin shqiptar.”

Orkestra e natyrës, një mrekulli që nuk fiket kurrë
Të shoqëruar nga melodia e zileve e këmborëve, nga fyellët e barinjve, mushkat që mbajnë pajisjet e stanit dhe qentë e besës që ruajnë tufat, shtegtimet e Librazhdit janë sot spektakël i rrallë për udhëtarët e pasionuar.
Edhe pse mekanizimi, urbanizimi, rrugët e çakorduara nga copëzimi i pronave dhe gardhet e panumërta e kanë tkurrur këtë traditë, ajo ende mbijeton. Edhe pse me vështirësi.
Barinjtë duhet të gjejnë shtigje të reja, të shmangin ngastra të zëna, të përballen me rreziqe, por nuk heqin dorë. Sepse shtegtimi nuk është vetëm ekonomi, është edhe trashëgimi.
Dikur çdo familje e organizonte jetën rreth ritmeve të këtij cikli:
– pjelljet e dimrit në janar,
– qethjet në shkurt,
– kullotat e pranverës në ultësira,
– nisja për në mal pas Shën Gjergjit,
– kthimi pas Shën Dhimitrit.
Këto zakone sot janë kujtime, por kujtime që ende marrin frymë.
Dhjetë grupet e fundit të barinjve të famshëm librazhdas, gjurmët e një epoke që s’duhet të shuhet
Në Bashkinë e Librazhdit janë të paktën 61 grupe barinjsh që bëjnë shtegtimet në këmbë. Janë të fundit e një epoke që po shuhet.
Ata udhëtojnë në këmbë për një arsye të thjeshtë: të mbajnë të ulura kostot e biznesit. Por në fakt po bëjnë diçka më shumë: po ruajnë një mënyrë jetese që është pjesë e identitetit shqiptar.
Dikur Librazhdi organizonte edhe “Ditën e Transhumancës”. Çdo të diel të fundit të tetorit, mijëra dhen përshkonin unazën e qytetit mes duartrokitjeve, si një kujtesë e gjallë e shtegtimeve që lidhin malet me fushat.

Librazhdi me potencial të lartë blegtoral
Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga Fatmir Ozuni, përgjegjës i Shërbimit Veterinar të Qarkut Elbasan, Bashkia Librazhd paraqet një inventar të rëndësishëm të bagëtive, duke konfirmuar potencial të lartë në sektorin blegtoral.
Në territorin e bashkisë numërohen 6 200 krerë gjedhë, 13 486 krerë të dhirta, si edhe 34 356 krerë të leshta, ndërsa një pjesë e rëndësishme të ekonomisë rurale e zënë edhe bletët, të cilat vijojnë të jenë një burim i qëndrueshëm prodhimi.
Ozuni thekson se fermat e gjedhit dhe ato të imta konsiderohen me potencial të lartë zhvillimi, duke hapur mundësi për rritje të prodhimit vendas dhe fuqizim të ekonomisë bujqësore të zonës.

Turizmi që po vjen dhe shpresa që të mos shuhet kjo traditë
Sot turistët ecin në të njëjtat shtigje me barinjtë. Fotografojnë tufat që zbresin, kapin me kamera rituale të vjetra që bota i ka humbur prej kohësh.
Transhumanca po kthehet në një atraksion natyror e kulturor, një aset i rrallë që mund ta çojë Librazhdin drejt turizmit të qëndrueshëm.
Dhe ky është një lajm i mirë. Sepse traditat nuk shuhen kur bëhen pjesë e identitetit dhe zhvillimit ekonomik.
Një thirrje e heshtur nga malet e Librazhdit
Në një Shqipëri që ndryshon me shpejtësi, barinjtë e Librazhdit mbeten roje të kujtesës.
Rrugët e tyre janë histori. Zilet e tufave janë muzikë e vjetër. Dhe shtegtimi i tyre është një libër i hapur për këdo që dëshiron të kuptojë shpirtin e vërtetë të kësaj treve.
Shpresa është që së shpejti këto tradita të gjejnë mbështetje të plotë, që ky ritual i lashtë të mos humbasë kurrë. Sepse kur transhumanca shuhet, shuhet një pjesë e Shqipërisë.




