Me aromën e saj karakteristike dhe shijen unike, gështenja mbetet simbol i bujarisë dhe mikpritjes së Tropojës.
Gjatë ditës së sotme në qytetin e Bajram Currit u zhvillua “Festa e gështenjës”, një traditë e bukur që promovon prodhimet vendase dhe vlerat unike të zonës.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve, fermerë, sipërmarrës, artizanë dhe shumë vizitorë që ndanë së bashku atmosferën festive dhe krenarinë për pasurinë natyrore të Tropojës.
Në kuadër të festës u organizua panairi me produkte tradicionale dhe gatime të përgatitura me gështenja, si dhe me punime artizanale të zonës, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe tregtimi për prodhuesit vendas.
Kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi theksoi në një postim në rrjetet sociale se “gështenja e Tropojës mbetet një aset i çmuar i bujqësisë me vlera të larta bio-gjenetike dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të komunitetit”.
“Promovimi i produkteve vendase është dhe do të mbetet prioritet, për të forcuar ekonominë e fermerëve dhe për ta kthyer këtë pasuri natyrore në një pikë të fortë të identitetit tonë”, tha Byberi.
Ekosistemi i gështenjave të Tropojës është më i madhi në Ballkan. Ai përbëhet nga një kultivar me vlera të larta bio-gjenetike dhe përveç ndikimit në ekonominë lokale të zonës, masivi i Gështenjave të Tropojës është edhe një atraksion për turistët e natyrës.