Nga Olsi Komici, Deputet i PS, Qarku Elbasan
Të dashur bashkëqytetarë të mi në Librazhd dhe Prrenjas! Sot ishte caktuar të mbahej seanca plenare për prezantimin e programit qeverisës “Shqipëria 2030”.
Me fillimin e prezantimit të programit nga Kryeministri Rama, përfaqësuesit e opozitës penguan në mënyrë sistematike dhe aspak etike fjalën e tij në këtë seancë solemne, duke e bërë të pamundur vazhdimin e saj në shkelje të Rregullores së Parlamentit. Të ndodhur në këto kushte, dhe duke qenë se prezantimi i programit nuk ishte penguar që nga viti 2005, u kalua drejtpërdrejt në votim, ku u miratuan Programi Qeverisës Rama 4 dhe kabineti qeveritar.
Në pamundësi për të lexuar fjalën time në këtë seancë, ndjej detyrim moral dhe institucional ndaj votuesve të mi dhe çdo qytetari të bashkive Librazhd e Prrenjas, t’ju ndaj fjalën e përgatitur.
Ecim përpara me guxim dhe vendosmëri. Shqipëria nuk ka më kthim pas. Europa na pret!
I nderuar Zoti Kryetar i seancës,
I nderuar Zoti Kryeministër,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të nderuar qytetarë të Shqipërisë, brenda dhe jashtë vendit, që na ndiqni,
Sot, për herë të parë, marr fjalën në këtë sallë të nderuar – sallën ku merren vendime që prekin jetën tonë, jetën e çdo qytetari dhe përcaktojnë të ardhmen e vendit tonë. Është një moment me ngarkesë të veçantë personale, por mbi të gjitha një moment që e ndjej si një përgjegjësi të madhe ndaj besimit që më është dhënë nga qytetarët që unë përfaqësoj.
Dua ta nis këtë fjalë duke shprehur respektin tim të thellë për institucionin që përfaqësojmë – Kuvendin e Shqipërisë – si zemra e demokracisë parlamentare, ku zërat tanë, edhe kur janë të ndryshëm, duhet të përplasen me dinjitet, me argument dhe me vizion për të mirën e përbashkët.
I drejtohem sot kësaj salle jo për të bërë deklarata të zbrazëta, por për të dhënë një kontribut të ndershëm, të matur dhe të qëndrueshëm në shërbim të atyre që presin nga ne jo vetëm fjalë, por zgjidhje konkrete, politika të drejta dhe vizion afatgjatë.
Fokusi kryesor i qeverisë shqiptare të udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama është realizimi i objektivit historik, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Ky është objektivi madhor i këtij mandati, është arsyeja pse ne duhet të punojmë çdo ditë pa u lodhur, dhe është premtimi që ne do ta bëjmë realitet për brezin e sotëm dhe ata që do të vijnë. Ky proces është si një proces i mirëfilltë shtetformimi që modernizon vendin, forcon sundimin e ligjit, administratën dhe sigurinë, garanton një rritje ekonomike të qëndrueshme, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Ky objektiv, nga një premtim elektoral, është tashmë pika themelore e programit qeverisës, bazuar në një kalendar të qartë, që kulmon me mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe në vitin 2030 me uljen e Shqipërisë si e barabartë mes të barabartëve në tryezën e madhe të Bashkimit Europian.
Më poshtë do të ndalem në disa nga pikat kryesore me ndikim të drejtpërdrejtë në arritjen e objektivit madhor të qeverisë së Kryeministrit Rama, atë të Shqipërisë evropiane, si: Drejtësia dhe të drejtat themelore, Bujqësia dhe zhvillimi rural, Mjedisi dhe ekonomia e gjelbër, dhe tema të tjera me rëndësi për vendin.
E themi me bindje të plotë se Reforma në Drejtësi është transformimi më i madh institucional në historinë e shtetit shqiptar, i nisur nga qeveria shqiptare dhe i mbështetur fuqishëm nga partnerët tanë europianë dhe ata amerikanë. Në këtë fazë shumë të rëndësishme të negociatave merr vëmendje parësore forcimi i një drejtësie të pavarur dhe efiçiente, të bazuar në standarde. Kjo reformë dhe institucionet e dala prej saj po konsolidohen dhe po forcohen hap pas hapi, falë edhe mbështetjes së madhe të qeverisë në financa dhe infrastrukturë, me qëllim garantimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës, që mundëson drejtësi të barabartë për të gjithë, si dhe duke i dhënë fund mitit të pandëshkueshmërisë. Drejtësia e pavarur nuk është luks apo dëshirë; është themeli i shtetit që po ndërtojmë, dhe ne nuk do të ndalemi derisa ajo të bëhet realitet i prekshëm për çdo shqiptar.
Disa nga prioritetet që janë përcaktuar në programin qeverisës për arritjen e këtij objektivi do të përfshijnë:
• Fuqizimin e standardeve të reformës në drejtësi, duke rishikuar legjislacionin sipas detyrimeve të ndërmarra në kuadër të negociatave me BE-në.
• Miratimin e Kodit të ri Penal dhe Kodin e ri Civil, të përafruar me standardet e BE-së.
• Modernizimin e infrastrukturës gjyqësore, me ndërtimin dhe rikonstruksionin e gjykatave e prokurorive sipas standardeve më të mira, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve të ofruara qytetarëve.
Ndërkohë, një tjetër shtyllë e së ardhmes sonë: Bujqësia dhe zhvillimi rural janë themeli i qëndrueshmërisë së zhvillimit ekonomik. Me teknologji moderne, zinxhirë të integruar prodhimi dhe akses më të madh në tregjet europiane, bujqësia shqiptare do të garantojë siguri ushqimore, do të mbështesë eksportet dhe do të lidhet drejtpërdrejt me turizmin. Zhvillimi rural do të thotë më shumë mundësi për fermerët, fshatra më të gjallë, ekonomi lokale më të forta dhe një territor të balancuar mes qytetit dhe fshatit. Ne kemi zgjedhur ta mbështesim fort këtë sektor, ta subvencionojmë përmes skemave të reja, ta pajisim me teknologji, sepse vetëm kështu fermeri ynë jo vetëm që do të mbijetojë, por do të fitojë, do të rritet dhe do të bëhet konkurrues në tregun europian. Siguria ushqimore nuk është thjesht ekonomi; është shëndeti i fëmijëve tanë, është besimi i qytetarëve tanë se ajo çka konsumojmë është e kontrolluar, e pastër dhe e shëndetshme.
Objektivi ynë strategjik është transformimi i bujqësisë shqiptare në një sektor modern, konkurrues dhe të qëndrueshëm, plotësisht të integruar në Politikat e Përbashkëta Bujqësore dhe Ushqimore të BE-së deri në vitin 2030.
Dëshiroj të theksoj disa nisma kyçe që do të përqendrohemi për të avancuar dhe mbështetur bujqësinë në vendin tonë:
• Mbështetja e prodhimit bujqësor me objektivin që eksportet bujqësore dhe peshkimi/akuakultura të arrijnë 1 miliard € deri në 2030.
• Ndërtimi i qendrave moderne për ruajtjen/përpunimin e produkteve të freskëta, të lidhura me tregun vendas dhe me turizmin.
• Garantimi i sigurisë ushqimore, veterinarinë dhe mbrojtjen e bimëve nëpërmjet përafrimit të plotë ligjor e institucional dhe modernizimit të laboratorëve.
• Reformimi i sistemit të Inspektimit dhe Kontrollit edhe në kuadër të ligjit të ri të inspektimit, duke e përafruar inspektimin me standardet dhe protokollet e BE-së.
• Vënia në funksion në gjithë vendin të sistemit të të dhënave për kontabilitetin e fermave, informacionin për çmimet e produkteve bujqësore, si edhe standardet e tregtimit për të gjitha llojet e produkteve bujqësore.
• Zbatimi i programit sektorial për bagëtitë e imta: kushte mbarështimi, produktivitet, certifikim i produkteve autoktone për tregjet e BE-së.
Mjedisi dhe ekonomia e gjelbër janë gjithashtu garancia e zhvillimit të qëndrueshëm. Shqipëria duhet të rritet pa e shkatërruar natyrën. Riciklimi, hapësirat e gjelbra dhe menaxhimi modern i mbetjeve urbane do të bëhen pjesë e zakoneve të përditshme të qytetarëve dhe politikave publike.
Në të njëjtën kohë, ne nuk mund ta ndërtojmë Shqipërinë europiane me fshatra të lëna në arkitekturën e harresës. Për këtë arsye po e çojmë përpara rilindjen urbane 2.0: qytete më të rregulluara, sheshe e rrugë më të bukura, hapësira publike më të gjelbra dhe, mbi të gjitha, një kontroll më i fortë ndaj territorit, për t’i dhënë fund shëmtisë së ndërtimeve pa leje. Sepse Shqipëria e bukur nuk është veçse një ëndërr e bukur; është një detyrë që kemi ndaj brezave të ardhshëm.
Një plagë që do ta mbyllim përfundimisht është ajo e pronës. Përfundimi i procesit të regjistrimeve, legalizimeve, kthimit dhe kompensimit të pronës për ish-pronarët janë procese që duhet të përfundojnë sa më shpejt. Çdo qytetar duhet ta ndiejë veten të mbrojtur mbi pronën e tij, sepse prona është themeli i sigurisë së çdo familjeje, themeli i sigurisë së shtetit, por edhe një garanci themelore për investimet e huaja.
Për të përmbledhur çfarë u diskutua më sipër, të gjitha zhvillimet në fushat që përmenda në fund kanë një vektor të përbashkët, duke ndikuar në ekonominë dhe në tregun e punës, ku orientohet çdo anëtar i kësaj shoqërie. Tregu i punës në Shqipëri ka përjetuar një transformim të rëndësishëm gjatë dekadës së fundit, duke ulur papunësinë nën nivelin një shifror, nën 10% deri në 2024, dhe duke krijuar mbi 300 mijë vende pune, veçanërisht për të rinjtë, gratë dhe grupet vulnerabël. Fuqia blerëse e qytetarëve është rritur, me dyfishimin e pagës minimale dhe rritjen e pagës mesatare në sektorin publik. Shërbimet e punësimit janë modernizuar, duke u bërë më transparente dhe efikase, dhe sistemi i informacionit për punësimin ka lidhur qytetarët me bizneset, duke eliminuar burokracinë.
Gjatë këtij mandati, ne synojmë që strategjia jonë për tregun e punës të konvergojë në krijimin e një sistemi konkurrues, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet e BE-së, ku çdo qytetar ka mundësi reale për punësim cilësor, paga më të larta dhe zhvillim profesional të qëndrueshëm. Shërbimet e punësimit po transformohen drejt dixhitalizimit dhe inteligjencës artificiale, duke mos lënë mbrapa as emigrantët që duan të rikthehen dhe të punojnë në Shqipëri. Objektivat janë të qarta: a) paga minimale 500 euro dhe paga mesatare në sektorin publik 1200 euro.
Në mbyllje të këtij fjalimi dua t’u them një falënderim zemre qytetarëve të Librazhdit dhe të Prrenjasit. Ju na besuat votën tuaj dhe unë ju garantoj se investimet në infrastrukturë – në rrugë më të mira, ujësjellës e kanalizime, shkolla e qendra shëndetësore – si dhe trajtimi i çdo problematike komunitare do të vazhdojnë me ritme edhe më të shpejta. Dua të përmend këtu një nga investimet më domethënëse: rruga Elbasan-Qafthanë, e cila, përveçse është një investim strategjik kombëtar, prek në mënyrë domethënëse ekonominë e secilës familje të zonës. Ndikimi i saj është i shumëanshëm: rrit aksesin e fermerëve dhe prodhuesve lokalë në tregjet e mëdha, nxit turizmin malor dhe kulturor në zonat përreth dhe sjell zhvillim ekonomik për komunitetet lokale përmes rritjes së punësimit dhe investimeve. Përfshirja e kësaj rruge në Korridorin VIII e vendos Shqipërinë më afër standardeve evropiane të infrastrukturës dhe e bën vendin më konkurrues në rajon. Veç kësaj, bukuritë e mëdha natyrore të zonës tonë na obligojnë të punojmë fuqishëm për zhvillimin e turizmit malor, agroturizëm të qëndrueshëm e cilësor, si dhe implementimin sa më të shpejtë të paketës së maleve, elementë këta që do të ndikojnë fuqishëm në zhvillimin e këtyre zonave dhe rritjen e mirëqenies së banorëve.
Duke e cilësuar programin e qeverisë së Kryeministrit Rama si një program tejet ambicioz, me një vizion të jashtëzakonshëm patriotik, ekonomik e shoqëror, që tejkalon dallimet tradicionale mes të majtës dhe të djathtës, pa ngjyra politike, duke vendosur interesin kombëtar dhe të ardhmen e fëmijëve tanë mbi çdo ndarje ideologjike, i ftoj dhe i bëj thirrje të sinqertë edhe përfaqësuesve të opozitës të ngrihen mbi interesat partiake dhe ta mbështesin këtë program për të mirën e vendit dhe të gjeneratave të ardhshme.
Të nderuar kolegë, Shqipëria 2030 nuk është më një slogan, por një rrugë konkrete që na çon drejt Europës. Kjo është Shqipëria që ne po ndërtojmë së bashku. Kjo është Shqipëria që nuk kthehet më pas.
Ju faleminderit.