Shqipëri–Kosovë, bashkëpunim shkencor për sfidat demografike e ekonomike të rajonit

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës zhvilluan në Tiranë Konferencës së Dytë Shkencore Ndërkombëtare me temë “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës – sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”

Në ceremoninë e hapjes nderuan me praninë e tyre: Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj; Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja; zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil S. Tole; Ministrja e Ekonomisë dhe e Inovacionit, Delina Ibrahimaj; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko; Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Randi Davis; anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së dhe ASHAK-ut, rektorë universitetesh, akademikë, profesorë, shkencëtarë e studiues të fushës nga vendi, rajoni dhe më gjerë.

Seanca nisi me fjalën e hapjes të akad. Anastas Angjelit, kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Shkencave Sociale dhe Juridike (ASHSH). Në emër të komisionit organizator, ai u shpreh se tematika e konferencës lidhet me problematikat vendimtare për të ardhmen e shoqërive tona, që nuk prek thjesht çështjet ekonomike apo statistikore, por edhe dimensionin njerëzor të zhvillimit.

“Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria, Kosova dhe shumë vende të rajonit kanë përjetuar ndryshime të thella demografike të cilat nuk vijnë vetëm nga largimi vendet,rënien e lindshmërisë, emigracionin e vazhdueshëm të të rinjve, plakjen graduale të popullsisë dhe ristrukturimin e tregut të punës. Këto janë procese komplekse, me shkaqe të ndërthurura – ekonomike, sociale, kulturore e politike që kërkojnë analizë të thelluar, të dhëna të sakta dhe politika të menduara afatgjatë”, tha Angjeli.

Më tej, ai e vlerësoi konferencën si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin institucional dhe shkencor ndërmjet dy akademive si një partneritet që tashmë po shndërrohet në një platformë të përbashkët kërkimore shqiptare dhe rajonale, ku ide, përvoja dhe analiza shkencore ndërthuren për t’u vënë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm, integrimit europian dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve tanë.

Angjeli shprehu bindjen se kjo konferencë mund të hedhë themelet e dialogut shkencor, të nxisë bashkëpunim ndërinstitucional dhe të krijojë hapësira për politika të reja të bazuara në dije, me synimin për të kontribuar për ndërtimin e një strategjie kombëtare dhe rajonale të zhvillimit të qëndrueshëm.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja vlerësoi punën e organizatorëve dhe pjesëmarrësve të konferencës, duke marrë në shqyrtim një problematikë, siç është demografia dhe tregu i punës, e cila ka filluar të bëhet një çështje e mprehtë për shumicën e shteteve të Europës, përfshirë edhe shtetet e rajonit të Ballkanit, perëndimor ose jo tamam perëndimor. “Nëse i kuptojmë drejt dhe i paraprijmë këtyre ndryshimeve me strategji afatgjata dhe politika të mirëmenduara e të koordinuara, ato të mund të kthehen nga sfida, në mundësi. Ne kemi nevojë për një treg më të bashkuar, më të koordinuar, që i gjithë rajoni të bëhet më tërheqës, tërheqës për investime dhe projekte të përbashkëta zhvillimi. Në këtë kontekst, procesi i integrimit evropian mbetet rruga më e qëndrueshme për zhvillim afatgjatë dhe zbut disa shkaqe të emigracionit.”- tha akad. Kraja.

Ai solli në vëmendje arritjet e qeverive të Europës, të cilat tashmë kanë hartuar projekte për përmirësime demografike, për ndërprerjen e trendit negativ demografik dhe rikthimin e treguesve pozitivë, jo vetëm në raport me tregun e punës, por në raport edhe me treguesit e tjerë, që mund të definohen si faktor të sigurisë, të mirëmbajtjes materiale të shoqërive në këtë nivel të mirëqenies.

Akad. Kraja tha se “Sfidat demografike e të tregut të punës janë kombëtare e rajonale dhe përvoja e suksesshme e vendeve të tjera tregon se ato mund të përballohen më lehtë nëse ka bashkëpunim, nëse ka integrim dhe zhvillim ekonomik. Në këto kushte, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës, integrimi rajonal dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian marrin një kuptim të ri.”

Në fund, ai vlerësoi si prioritet bashkëpunimin në të gjitha fushat mes Shqipërisë e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon për krijuar më shumë mundësi, më shumë qëndrueshmëri dhe më shumë shpresë për të rinjtë tanë.

Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kryesisë së saj, konferencën e përshëndeti zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Vasil S. Tole. Kjo konferencë shkencore, e cila i kushtohet një teme të ndjeshme e me rëndësi strategjike për të ardhmen e vendeve tona dhe të rajonit, ka bërë bashkë dy akademitë tona përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të frytshëm, duke i afruar universitetet, studiuesit dhe ekspertët e fushës për të dhënë kontribute shkencore në një çështje kaq madhore. Në dekadat e fundit, realiteti demografik i Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit tonë ka ndryshuar rrënjësisht. Popullsia është në tkurrje, ritmet e lindshmërisë janë ulur, emigracioni masiv i të rinjve ka sjellë boshatisjen e shumë zonave dhe humbjen e potencialeve të vlefshme njerëzore.

Akad. Tole e vlerësoi konferencën si një dëshmi të përkushtimit të përbashkët për të vendosur dijen dhe kërkimin shkencor në shërbim të shoqërisë. Përballë sfidave të sotme, akademitë nuk janë vetëm institucione të traditës, por edhe institucione të rëndësishme rekomanduese e këshilluese, që me rolin e tyre shërbejnë si ura mes shkencës dhe politikës, mes dijes dhe vendimmarrjes. Kjo është një praktikë që e gjejmë në të gjitha vendet europiane dhe që po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e vizionit tonë për akademinë si partner strategjik të shtetit dhe të shoqërisë. Ne jemi të vetëdijshëm se përmasat e sfidave demografike e ekonomike janë të tilla që nuk mund të adresohen vetëm nga një vend apo nga një institucion i vetëm. Ato kërkojnë një qasje të koordinuar, një dialog rajonal dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë.

E ardhmja e Shqipërisë dhe e Kosovës do të varet nga aftësia jonë, nga aftësia jonë për ta fituar këtë betejë. Kjo është sfida e brezit të sotshëm dhe përballimi i saj me sukses është detyrimi ynë, detyrimi ynë për brezat e ardhshëm.

Konferencën e përshëndeti edhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Randi Davis.

Punimet shkencore trajtuan çështjen e krizës demografike, potencialin e zhvillimit ekonomik në dekadat e ardhshme, integrimin në Bashkimin Europian dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, dijes dhe kapitaleve; sfidat dhe mundësitë për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm. Gjithashtu u paraqitën kërkime ndërdisiplinore, që nga ekonomia e sociologjia, tek politikat e arsimit, teknologjisë dhe punësimit; dixhitalizimi, automatizimi dhe inteligjenca artificiale e më gjerë, në kuadrin e një një debati më të gjerë mbi vetë kuptimin e zhvillimit, në një kohë kur ekonomia globale përballet me pasiguri, me kriza energjetike, klimaterike e gjeopolitike, si një domosdoshmëri për të rishikuar mënyrën se si e matim dhe e kuptojmë progresin.

Pas sesionit të sotëm, punimet do të vazhdojnë në disa panele të tjera tematike gjatë dy ditëve të konferencës në mjediset e Akademisë së Shkencave.

68 kumtues: profesorë, studiues dhe ekspertë nga 10 universitete dhe institute kërkimore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi , do të paraqesin rezultatet e kërkimeve të tyre shkencore dhe propozime për politika të reja zhvillimore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME