Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vijuar takimet prezantuese me drejtuesit e strukturave vendore në Shkodër dhe Lezhë, ku ka dhënë porosi të prera për rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit dhe forcimin e rendit publik.
Gjatë takimeve me drejtuesit e DVP Shkodër, DVP Lezhë, si dhe strukturat e Kufirit dhe Migracionit, Hita kërkoi punë parandaluese të thelluar, hetime cilësore dhe bashkëpunim të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese, duke theksuar se prioritet mbetet goditja e grupeve kriminale dhe parandalimi i kultivimit të lëndëve narkotike.

Ai nënvizoi se është e papranueshme që në disa zona problematike të përsëriten çdo vit të njëjtat fenomene kriminale, duke kërkuar analizë të detajuar të çdo informacioni dhe përgjegjësi maksimale në terren për identifikimin e organizatorëve dhe financuesve të veprimtarive të paligjshme.
Në fokus të detyrave të reja janë gjithashtu:
- goditja e armëmbajtjes pa leje
- kapja e personave në kërkim
- parandalimi dhe zbardhja e ngjarjeve kriminale
- kontrolli i ndërtimeve pa leje dhe aktiviteteve të paligjshme ekonomike
- forcimi i sigurisë në shkolla dhe në rrugë

Drejtori i Përgjithshëm paralajmëroi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje e ligjit, duke theksuar se masat do të jenë të njëjta për çdo strukturë që rezulton me shkelje apo abuzime në detyrë.
Në vijim, ai njoftoi edhe nisjen e një operacioni kombëtar për lirimin e akseve rrugore, duke kërkuar angazhim të plotë të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me ARRSH-në, si dhe ndëshkime administrative dhe penale për çdo shkelës që ka zaptuar hapësirat publike.
Policia e Shtetit thekson se këto masa synojnë rritjen e sigurisë publike, përmirësimin e rendit dhe forcimin e kontrollit në territor.


