Për herë të parë, shkencëtarët në SHBA kanë krijuar embrione njerëzore duke përdorur ADN nga qeliza të lëkurës dhe më pas duke i fekonduar me spermë. Kjo teknikë premtuese mund të revolucionarizojë trajtimin e infertilitetit, veçanërisht për ata që nuk mund të prodhojnë vezë apo spermë, si dhe për çiftet e së njëjtës gjini që dëshirojnë fëmijë biologjikë.
Procesi u zhvillua nga studiuesit e Universitetit Shkencor dhe Shëndetësor të Oregonit. Ata morën bërthamën, pjesën që përmban materialin gjenetik, nga një qelizë lëkure dhe e vendosën në një vezë dhuruese, nga e cila ishte hequr ADN-ja origjinale. Kjo metodë ngjan me teknologjinë që u përdor për krijimin e deles Dolly, kloni i parë i një gjitari.
Më pas, vezës së re iu kërkua të “heqë dorë” nga gjysma e kromozomeve për t’u përgatitur për fekondim, një proces që zakonisht ndodh natyrshëm tek vezët e grave. Disa nga vezët e krijuara u fekonduan me sukses dhe arritën të zhvillohen deri në ditën e gjashtë si embrione.
Edhe pse teknika ende nuk është gati për përdorim klinik dhe ka sfida për t’u zgjidhur, si përzgjedhja e saktë e kromozomeve dhe rritja e suksesit, shkencëtarët besojnë se brenda një dekade mund të përdoret në klinikat e fertilitetit.
Ky zbulim ka hapur diskutime të rëndësishme etike dhe shoqërore, ndaj studiuesit kërkojnë përfshirjen e publikut në debat mbi atë që shkenca po mundëson sot.