Shtetet e Bashkuara të Amerikës ripërsëritën thirrjen për Evropën që të marrë përsipër shumicën e aftësive mbrojtëse konvencionale të NATO-s, nga inteligjenca te raketat, deri në vitin 2027, u thanë zyrtarët e Pentagonit diplomatëve në Uashington këtë javë, një afat i shkurtër që disa zyrtarëve evropianë u duk jorealist.
Mesazhi, i rrëfyer nga pesë burime për Reuters, përfshirë një zyrtar amerikan, u përcoll në një takim në Uashington të stafit të Pentagonit që mbikëqyr politikën e NATO-s dhe disa delegacioneve evropiane.
Zhvendosja e kësaj barre nga SHBA-ja tek anëtarët evropianë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut do të ndryshonte në mënyrë dramatike mënyrën se si Shtetet e Bashkuara, një anëtar themelues i aleancës së pasluftës, bashkëpunon me partnerët e tyre më të rëndësishëm ushtarakë.
Në takim, zyrtarët e Pentagonit treguan se Uashingtoni nuk ishte ende i kënaqur me hapat që Evropa ka bërë për të rritur aftësitë e saj mbrojtëse që nga pushtimi i zgjeruar i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Zyrtarët amerikanë u thanë homologëve të tyre se nëse Evropa nuk e përmbush afatin e vitit 2027, SHBA-të mund të ndalojnë së marri pjesë në disa mekanizma koordinimi mbrojtës të NATO-s, thanë burimet për Reuters.
Aftësitë mbrojtëse konvencionale përfshijnë asete jo-bërthamore, nga trupat te armët, dhe zyrtarët nuk shpjeguan se si SHBA-të do ta matnin progresin e Evropës drejt mbajtjes së pjesës më të madhe të barrës.



