Seanca për masat e sigurisë për 16 personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Metalurgjiku” përfundon pas 6 orësh pa vendim, gjykata kërkon disa orë kohë

Ka përfunduar rreth orës 18:00 seanca gjyqësore për caktimin e masave të sigurisë ndaj 16 personave të arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Metalurgjiku”, e zhvilluar me dyer të mbyllura pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Pas rreth katër orësh shqyrtim, gjyqtari i çështjes, Denis Frroku, ka kërkuar kohë për marrjen e vendimit përfundimtar.

Mësohet se për njërin prej 16 të arrestuarve, masa e sigurisë do t’i komunikohet në spital, ku ndodhet i shtruar për shkak të problemeve shëndetësore në zemër. Seanca u përfaqësua nga ana e akuzës nga Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi.

Seanca kishte si objekt “Vlerësim arresti/ndalimi dhe caktim mase sigurimi” dhe u vendos të mbahej me dyer të mbyllura për shkak të hetimeve të thelluara në vijim dhe ndjeshmërisë së lartë të çështjes, e cila lidhet me krime të rënda mjedisore dhe shkelje serioze të ligjit.

Operacioni “Metalurgjiku”, i finalizuar fundjavën e kaluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale dhe nën drejtimin e Prokurorisë, konsiderohet një nga goditjet më të forta ndaj krimeve mjedisore në vitet e fundit. Aksioni kishte në fokus veprimtari të paligjshme që dyshohet se kanë dëmtuar rëndë mjedisin dhe shëndetin e banorëve në zonën e ish-Metalurgjikut në Bradashesh, Elbasan.

Subjekte tregtare nën hetim

Në kuadër të procedimit penal janë vënë nën hetim dy subjekte juridike:
• CCALB sh.p.k
• GSA Ferrokrom sh.p.k

Sipas hetimeve, këto kompani dyshohet se kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, në shkelje të rëndë të legjislacionit mjedisor në fuqi.

Të arrestuarit

Si rezultat i operacionit, në pranga kanë rënë 16 persona, shtetas të huaj dhe shqiptarë, mes tyre administratorë, drejtues teknikë dhe punonjës.

Shtetas të huaj të arrestuar:
Junceol Chung Biz, Rashul Pal, Stjuent Pal, Prakash Kadel, Muna Sung, Rajesh Kumarjadav, Autia Rai, Rahul Pal, Dheraj Kumar.

Shtetas shqiptarë të arrestuar:
Jakup Karaj, Ismail Dybeli, Dorian Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdia, Elton Beqi, Elis Flaga.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim edhe shtetasit: Bujar Zogu, Dritan Konica, Fejzo Meçaj, Ilir Londo, Gjergj Bezati, Agron Shpallo dhe Serafin Orgoça.

Shkelje të rënda mjedisore

Nga hetimet dhe inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ka rezultuar se subjektet në fjalë:
• Kanë shkelur rëndë legjislacionin mjedisor
• Kanë ndotur ajrin, ujërat dhe tokën
• Nuk kanë respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve
• Kanë kryer përpunim të paligjshëm të mbetjeve të baterive, aktivitet me rrezik të lartë për shëndetin publik

Për këto shkelje janë vendosur masa administrative të rënda, përfshirë gjoba në vlera milionëshe dhe pezullim të aktivitetit deri në përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje elektronike, celularë dhe sisteme DVR, të cilat do të shërbejnë si prova materiale. Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që seanca e radhës të përcaktojë masat e sigurimit personal për të arrestuarit, në një çështje që dërgon një mesazh të qartë për zero tolerancë ndaj krimeve mjedisore dhe rrezikimit të shëndetit publik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME