Infrastruktura e ujitjes dhe kullimit mbetet një nga prioritetet strategjike të politikave bujqësore, pasi luan një rol kyç në sigurimin e qëndrueshmërisë së prodhimit, menaxhimin e riskut nga përmbytjet dhe përmirësimin e cilësisë së tokës bujqësore
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bëri të ditur sot se është parashikuar një rritje të ndjeshme të fondeve për vitin 2026.
“Buxheti për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes për vitin 2026 llogaritet 3,6 miliardë lekë, duke reflektuar një rritje prej 26,4% krahasuar me vitin 2025. Ky financim i shtuar synon përmirësimin e rrjeteve ekzistuese, rritjen e eficiencës së shërbimeve dhe garantimin e aksesit të fermerëve në ujitje të qëndrueshme”, bëri të ditur ministri.
Po ashtu, Salla theksoi se investimet e brendshme rriten nga 1,9 miliardë lekë në vitin 2025 në 2,6 miliardë lekë në vitin 2026, një rritje prej 36%, duke u fokusuar në rehabilitimin, zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit.
“Përmes këtyre fondeve do të përmirësohet ujitja në rreth 10,000 ha tokë bujqësore, do të rehabilitohen dhe ndërtohen 10 km argjinatura në lumenjtë kryesorë për mbrojtje nga përmbytjet dhe gërryerja, do të përfundojë rikonstruksioni i hidrovorit të Orikumit për kullimin e 500 ha tokë dhe do të rehabilitohet hidrovoli i Vlorës për shmangien e përmbytjeve urbane”, deklaroi Salla.
Gjithashtu, vuri në dukje ai, do të përmirësohen dhe mirëmbahen mbi 60 mijë hektarë tokë bujqësore përmes lëvizjes së mbi 2,5 milion m³ dhera, si dhe do të operohen 27 hidrovorë në të gjithë vendin.
Njëkohësisht, sipas tij, fondi i pagave për vitin 2026 parashikohet të arrijë 446 milionë lekë, nga 361 milionë lekë në vitin 2025, rritje kjo prej 24%, për të forcuar kapacitetet njerëzore dhe për të mbështetur punën e punonjësve të sektorit.
“Buxheti i vitit 2026 është një hap konkret për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të mbështetur punën e fermerëve në të gjithë vendin”, shtoi ministri Salla.

