Demokrati Ervin Salianji deklaroi këtë mbrëmje në emisionin “Real Story” se opozita ka nevojë për një riformatim të thellë dhe duhet të jetë funksionale, me strategji të qartë për të përballuar qeverinë e Edi Ramës. Ai shtoi se për të pasur një funksion konkret politik, nuk ka ambicie për poste aktualisht, por theksoi rëndësinë e ndërtimit të një grupimi të ri dhe gjithëpërfshirës brenda opozitës.
“Duhet të ndërtojmë një opozitë që të mundë Edi Ramën, pa votat e Sali Berishës, të flasim troç. Duhet të gjejmë mekanizmat e duhura që t’i japim drejtim kësaj situate. Si shoqëri duhet të sigurojmë demokraci të shëndetshme, institucione funksionale, një qeveri që kontrollohet dhe një opozitë që ushtron kontrollin e plotë,” tha Salianji.
Ai theksoi se PD-ja nuk ndodhet në ditët më të mira të saj, duke shtuar se diskutimet aktuale kanë për qëllim përmirësimin e partisë dhe shërbimin e interesit publik.
“Nuk kam ambicie për poste aktualisht. Unë bëj politikë duke nisur lëvizjet e duhura, pastaj diskutoj pse po i bëj. Aktualisht po takohem me demokratë të tjerë që kanë sakrifikuar shumë për kauzën e opozitës, jo për interesin personal,” shpjegoi ai.
Salianji theksoi se opozita duhet të përfshijë të gjithë aktorët e saj për të gjetur mekanizmat e duhur që të fitojë dhe të mos bëjë gabime që i lehtësojnë punën qeverisë.
“Opozita nuk ka luksin të bëjë gabime, siç i la në tavolinë Ramës një tufë me mandate. Unë do të jem gjithmonë pjesë e jetës politike, duke kontribuar si opozitar,” përfundoi Salianji.