Para ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës u zhvillua sot një protestë nga punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), të cilët ngritën zërin kundër mosalokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit dhe mosshpërndarjes së pagave për rreth 700 punonjës të institucionit publik të transmetimit. Protesta u organizua nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, e cila theksoi se situata ka arritur në një pikë kritike dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme për të shmangur paralizimin total të funksionimit të RTK-së.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, në fjalën e tij para protestuesve, deklaroi se mungesa e buxhetit ka vendosur në rrezik ekzistencën e institucionit të vetëm publik mediatik në Kosovë dhe po cënon rëndë të drejtat e punëtorëve.“RTK është një pasuri publike që nuk mund të mbahet peng nga vendime politike apo burokratike. Kërkojmë alokimin e menjëhershëm të buxhetit dhe respektimin e të drejtave ekonomike dhe sociale të mbi 700 punëtorëve të saj,” u shpreh Bimbashi. Ai paralajmëroi se nëse nuk merren masa konkrete nga qeveria dhe Kuvendi, veprimet sindikale do të përshkallëzohen në ditët në vijim.

Protestës iu bashkua edhe Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, i cili u shpreh se kriza aktuale në RTK është pasojë e mungesës së vullnetit institucional dhe e vendimeve të vonuara.“Kjo krizë ishte e shmangshme. Jemi dëshmitarë të një papërgjegjshmërie serioze institucionale. Kërkojmë që buxheti për gjashtëmujorin e dytë të alokohet pa vonesë, në mënyrë që RTK të vazhdojë të ushtrojë misionin e saj publik pa ndërprerje,” tha Rexha.
Mungesa e buxhetit ka paralizuar pjesërisht punën në RTK, ndërsa mosshpërndarja e pagave ka rënduar gjendjen ekonomike të qindra punonjësve, që çdo ditë përpiqen të garantojnë një informacion të saktë dhe të pavarur për qytetarët e Kosovës.

Organizatorët e protestës kërkuan reagim urgjent nga institucionet përgjegjëse, duke e cilësuar situatën si të paprecedent për një media publike në një vend demokratik.
albaniaexpress.al

