Rrugëtimi i librazhdases Nexhmije Hoxha që sfidoi çdo vështirësi për të kapur majat e biznesit në Montreal të Kanadasë

Rubrika: “Sipërmarrëset shqiptare të Diasporës”

Nga Fatmir Popja

Historia e librazhdases Nexhmije Hoxha nuk është thjesht histori suksesi. Ajo është një testament i forcës së një vajze të rritur në një familje punëtore në fshatin Xhyrë të Librazhdit, mes sakrificave të pafundme të prindërve, të cilët edhe sot, në moshë të thyer, janë drita më e madhe e jetës së saj. Janë ata dy njerëz të thjeshtë, por të mëdhenj në zemër, që i dhanë asaj busullën e jetës: punën, ndershmërinë dhe mosdorëzimin.

Rruga e saj drejt suksesit nuk ishte as e shtruar, as e lehtë. Fillimet e integrimit në biznesin e saj të parë në qytetin e Librazhdit dhe më pas në atë të jashtëm, sidomos në vende ku nuk të njeh askush, ku nuk flet gjuhën në mënyrë perfekte dhe ku duhet të nisësh nga zero, ishin plot sfida, ulje-ngritje, pasiguri, stres e net pa gjumë. Por znj. Hoxha nuk e ndali asnjëherë veten. Në çdo pengesë ajo shihte një mundësi. Në çdo rrëzim shihte një rimarrje më të fortë.

Më herët, afro dy dekada më parë, ajo solli në jetë vajzën e saj, e cila u bë bekimi, forca dhe arsyeja e çdo sfide të re. Pas divorcit, kur e bija, Enxhi, ishte 2 vjeçe, edukimi dhe rritja e saj u kthyen në detyrën, misionin dhe përkushtimin më të madh të saj.

E vetme, por kurrë e dobët, ajo luftoi për të krijuar një jetë të re në një kontinent tjetër. Ndërtoi karrierë, ngriti projekte, themeloi biznese dhe u shndërrua në një emër të respektuar në diasporën shqiptare të Montrealit në Kanada.

Në këtë histori suksesi ka plot sakrifica, ka dhimbje, ka përkushtim, ka orë të tejzgjatura pune, por mbi të gjitha ka guxim. Guxim për të sfiduar vështirësitë, për të hapur dyer që zakonisht askush nuk t’i hap, për të punuar fort dhe për të ndërtuar, vetëm me punë, destinacionin e ëndërruar prej saj.

Sot, librazhdasja Nexhmije Hoxha është një nga zërat e rëndësishëm të gruas sipërmarrëse shqiptare në Kanada. Ajo së fundi po krijon ura bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe diasporës, promovon investime, mbështet gratë shqiptare dhe vazhdon të ndërtojë me hapa të sigurt atë që shumëkush do ta quante “modelin e një karriere ndërkombëtare të pakompromis”.

Dhe kjo intervistë, për herë të parë, na rrëfen të gjithë këtë histori nga afër.

Intervista ekskluzive me znj. Nexhmije Hoxha, sipërmarrësen nga Xhyra e Librazhdit në Montreal të Kanadasë

Znj. Hoxha, rrugëtimi juaj nis në fshatin Xhyrë të Librazhdit. Si e kujtoni fëmijërinë dhe rolin e prindërve në formimin tuaj?

Fëmijëria ime ka qenë e thjeshtë, e rritur mes punës, sakrificave dhe përpjekjeve të mëdha që vetëm prindërit shqiptarë dinë t’i bëjnë. Ata kanë qenë dhe mbeten frymëzimi im kryesor, dy njerëz që aktualisht janë në moshë të thyer, por të mbajtur, dhe krenohen për çdo hap timin. Më kujtojnë gjithmonë se suksesi ndërtohet vetëm me punë të pastër dhe jo me fjalë. Çdo arritje e imja ka vulën e mundit, sakrificave dhe dashurisë së tyre.

Jeta juaj ka kaluar përmes shumë vendeve: Shqipëri, Greqi, Itali, Turqi, Meksikë, Kubë dhe Kanada. Cila ka qenë sfida më e madhe e këtij rrugëtimi?

Sfida më e madhe ka qenë integrimi. Të nisësh nga zero në një vend të huaj, kur askush nuk të njeh, kur duhet të fitosh besimin, respektin dhe hapësirën tënde, kërkon shumë punë dhe shumë durim. Në çdo shtet kam filluar gjithmonë e vetme, pa ndihma, vetëm me vullnet dhe këmbëngulje. Por çdo vështirësi më ka bërë edhe më të fortë.

Ju jeni nënë dhe njëkohësisht një grua që ka ndërtuar karrierë të fortë ndërkombëtare. Sa e vështirë ka qenë ta balanconi këtë?

Ka qenë ndoshta sfida më e madhe e jetës sime. Pas divorcit, rritja e vajzës sime u bë qendra e botës time. U përpoqa që ajo të mos ndiente mungesa, pavarësisht stuhive që kalonim ne të rriturit. Ajo është arsyeja pse nuk u dorëzova kurrë. Ajo më shtyu të rritem si profesioniste dhe si njeri.

Çfarë e shtyu hapin drejt sipërmarrjes?

Nuk pata luksin të pres mundësi. I krijova vetë. Që në qytetin e Librazhdit, me hapjen e sallonit të parë multifunksional të bukurisë, e deri në Kanada me themelimin e “Jolla North Aesthetics”, gjithmonë jam përpjekur të ndërtoj diçka që sjell vlerë dhe standarde të reja. Sipërmarrja më jep lirinë të krijoj, të zhvilloj dhe të kontribuoj. Aktualisht kam hapur disa biznese dhe jam aksionere edhe në një kompani prestigjioze në Kanada.

Së fundi jeni Presidente dhe Themeluese e “Jolla North Aesthetics” në Montreal. Cili është vizioni juaj për këtë kompani?

Vizioni është i qartë: të ndërtojmë një urë bashkëpunimi profesional mes Kanadasë dhe Shqipërisë në fushën e estetikës, stomatologjisë dhe turizmit mjekësor. Bashkëpunimi me Dr. Ervis dhe Dr. Alba Jolla, të cilët janë histori suksesi në fushën e stomatologjisë në Shqipëri dhe kanë krijuar një platformë solide për të ofruar shërbime të standardit më të lartë, më nxitën të promovoj potencialin shqiptar jashtë vendit.

Ju jeni aktive në komunitetin shqiptar në Montreal. Si ndiheni për këtë rol?

E ndjej si detyrim moral. Shqiptarët në diasporë kanë nevojë për bashkim, për mbështetje dhe për platforma konkrete bashkëpunimi. Kam punuar shumë për të ndihmuar gratë sipërmarrëse, për të lidhur investitorë të huaj me Shqipërinë dhe për të promovuar vendin tonë në Kanada. Është mision, jo detyrë.

A ka pasur një moment ku keni menduar të dorëzoheni, pasi jo çdo gjë e keni pasur të lehtë?

Po, shumë herë. Ka pasur net pa gjumë, humbje, zhgënjime, padrejtësi. Por çdo herë e kujtoja vajzën time, prindërit e mi dhe faktin se s’kisha luksin të ndalesha. Ndihem me fat që nuk u dorëzova, sepse sot jam këtu ku jam vetëm falë vullnetit dhe punës së palodhur.

Cili është mesazhi juaj për gratë shqiptare të diasporës që duan të nisin një biznes?

Të mos kenë frikë nga fillimet e vështira. Të besojnë tek vetja, të punojnë fort, të mësojnë gjuhën, të kërkojnë informacion dhe të mos pranojnë kompromis me vlerat e tyre. Diaspora ofron mundësi të jashtëzakonshme, por vetëm ata që guxojnë i shfrytëzojnë.

Cilat janë planet tuaja të ardhshme?

Dua të zgjeroj platformën e bashkëpunimit mes bizneseve shqiptare dhe atyre kanadeze, të mbështes sipërmarrjet femërore dhe të zhvilloj projekte investimi edhe në Shqipëri. Kam nisur disa iniciativa dhe do të punoj që të prek sa më shumë njerëz dhe komunitete.

Dhe në fund, çfarë ju bën krenare kur shihni pas?

Më bën krenare fakti që ia dola pa ndihma, me dinjitet dhe me punë të ndershme. Më bën krenare vajza ime. Më bëjnë krenare prindërit e mi dhe fakti që nuk i zhgënjeva. Dhe më bën krenare identiteti im shqiptar, që e kam marrë me vete kudo ku kam shkelur.

Përpiqem të jem shembulli i gruas shqiptare që nuk dorëzohet: e rritur me mund, e rritur me punë, e forcuar nga sfidat dhe e udhëhequr nga pasioni. Do të vazhdoj të jem një prej zërave më të gjallë të diasporës shqiptare në Kanada.

Historia ime dua të jetë frymëzim për vajzën time, për të afërmit e mi dhe jo vetëm. Më e mira duket se sapo ka filluar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Rama: Shqipëria hapi dyert për afganët kur të tjerët i mbyllën

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në Ditën Ndërkombëtare të...

Nuk i kemi mundur kurrë dhe i kemi shënuar vetëm një herë, ja historiku i ndeshjeve të Shqipërisë me Holandën

Nëse Shqipëria do të kualifikohet në Botërorin 2026, atëherë...

Njihuni me shortin e plotë të Botërorit, kush konsiderohet grup “ferri”

Në Washington u hodh shorti i Botërorit, ku u...