NGA BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Në Voskopojën e gjelbëruar, aty ku malet mbështillen me pyje dhe ajri mban freskinë e mëngjeseve alpine, spikat figura e një djali të ri, Rivaldo Pishtari. I lindur më 30 korrik 2000, ai ka vetëm 25 vite mbi supe, por shenjat e burrërimit dhe pjekurisë duken qartë në qëndrimin e tij, në mënyrën se si punon, qesh e shoqërohet me njerëzit.
I gjatë, me pamje të rregullt dhe buzëqeshje të sinqertë, Rivaldo duket sikur është vetë pjesë e bukurisë së natyrës voskopojare. Puna si kamarier në “Vila Falo”, nga vilat më të njohura të zonës, e ka bërë atë jo vetëm të njohur mes vendasve e turistëve, por edhe të dashur, të afërt e të vlerësuar.
Humori i hollë, është nga cilësitë më të dallueshme. Edhe kur lodhja e punës ditore rëndon mbi supe, di të gjejë fjalën e duhur, batutën që lehtëson atmosferën dhe sjell buzëqeshje tek klientët. Ky komunikim i natyrshëm e ka bërë popullor.
Shumë vizitorë të “Vila Falos” nuk e harrojnë lehtësinë e shërbimit të tij dhe ngrohtësinë që përcjell.
Një familje me rrënjë të forta
Rivaldo është biri i Ajet Pishtarit, shofer i përkushtuar i linjës Korçë–Voskopojë, i cili çdo ditë lidh qytetin me fshatin malor, duke sjellë e përcjellë njerëz e mallra. Nga nëna, Adriana Hasanllari, Rivaldo trashëgon një gjenealogji të madhe dhe të pasur, pasi familja Hasanllari mbetet gjithnjë aktive e punëtore. Brenda saj janë 12 fëmijë, secili me rrugën e vet, një pjesë të lidhur me Voskopojën, të tjerë të shpërndarë në punë e biznese të ndryshme.
Më i njohuri ndër ta mbetet Jakup Hasanllari, simbol i zgjuarsisë dhe energjisë së pandalshme, nga i cili edhe Rivaldo shpesh merr shembull. Nuk është e rastit që ai e përsërit me krenari shprehjen: “Nëse dua të jem i vlefshëm, kjo është sepse kam mbaruar shkollën e Kupës”. Një metaforë që nënkupton rritjen, mësimin dhe pjekurinë mes njerëzve të zotë e të suksesshëm.
Motra – shembull i gjallë për Rivaldon
Në rrëfimin për Rivaldon nuk mund të lihet jashtë motra e tij Eleonora. Ka mbaruar Universitetin e Sporteve në Tiranë dhe sot jeton në Frankfurt, ku punon kamariere përkohësisht, ndërkohë që vazhdon studimet e Masterit për sportet e ujit. E shkathët, e zonja dhe plot gjallëri, ajo është një shembull frymëzimi për Rivaldon.
Shpesh shprehet ai: se dëshira e madhe është të ndjekë të njëjtin drejtim, të mbarojë Universitetin e Sporteve. Sporti është pasion i lindur, por ndërkohë jeta e ka sjellë të merret me shërbimin në hoteleri–turizëm.
Megjithatë, ashtu si motra, edhe ai ka synimin të ndërthurë pasionin me punën, për të gjetur horizont më të gjerë jashtë vendit.
Ëndrra për Gjermaninë
Edhe pse i lidhur me Voskopojën, me malet, ajrin dhe njerëzit e saj, Rivaldo e sheh të ardhmen e tij në Gjermani. Aty ku është motra, aty ku sheh mundësi më të mëdha, punë më të qëndrueshme dhe zhvillim personal. Është ky horizont që e shtyn të mendojë për largim, si shumë të rinj shqiptarë, të cilët edhe pse të zotët në punën e tyre, përballen me sfidat e kufizuara të tregut vendas.
Gjithsesi, në çdo rast kur të rikthehet, Voskopojë e “Vila Falo” do të jenë vendi ku ai e ka lënë gjurmën e parë të punës e karakterit.
Shoqëria me Dhimitër Falon
Kapitull i veçantë në jetën e Rivaldos është shoqëria me Dhimitër Falon, djalin e pronarit të vilës, Andon Falo. Dhimitri, i lindur më 19 janar 1992, është disa vite më i madh se Rivaldo, por energjia dhe pasioni për punën i bashkojnë si miq e si kolegë.
Dhimitri ka mbaruar dy fakultete në Universitetin “Fan Noli” të Korçës dhe është i lidhur ngushtë me biznesin familjar. Prej 15 vitesh familja Falo ka investuar në “Vila Falo”, duke e kthyer atë në pikë të njohur jo vetëm për vizitorët vendas, por edhe për turistë të huaj.
Prindërit e tij, pas më shumë se një dekade pune në Greqi, sollën kursimet dhe përvojën për ta ngritur këtë biznes në Voskopojë. Dhimitri, me seriozitetin e një njeriu që e sheh të ardhmen këtu, është bërë shtylla e dytë e vilës. Punon shumë, është i përkushtuar dhe ndërton raporte të shëndetshme me kolegët, ku Rivaldo Pishtari zë vend të veçantë.
“Vila Falo” më shumë se një vend pune
Në këtë skenë të gjallë, “Vila Falo” është më shumë se një vilë pushimi. Ajo është mikrokozmos ku përplasen ëndrra e realitete, ku njerëzit e rinj si Rivaldo rriten, forcohen, mësojnë dhe përgatiten për jetën.
Shumë kamarierë kanë kaluar aty, disa janë larguar jashtë vendit, por gjithmonë e gjejnë kohën për t’u kthyer dhe për të qenë pjesë e atmosferës së saj.
Në këtë hapësirë, Rivaldo dhe Dhimitri ndërthuren si dy rrugë paralele: njëri që e sheh perspektivën në emigracion, e tjetri që e ka lidhur jetën me biznesin në vendlindje. Por të dy kanë një bashkëpërkimi të fortë, dashurinë për punën, respektin për klientin dhe përkushtimin që të lënë mbresa pozitive tek secili që i viziton.
Një djalosh me optimizëm
Në fund, Rivaldo mbetet një figurë që të frymëzon. Ai është shembulli i të riut shqiptar që nuk dorëzohet, që buzëqesh edhe kur e ka të vështirë, që i jep rëndësi humorit, optimizmit dhe vlerës së njerëzve. E ardhmja e tij mund të jetë në Gjermani apo diku tjetër, por rrënjët e tij, familja, puna dhe miqësia do të mbeten gjithmonë të lidhura me Voskopojën.
Në shikimin e tij ka një dritë që flet për ëndrra të mëdha, por edhe për vlerat e trashëguara nga një familje punëtore dhe e ndershme. Ashtu siç është natyra e Voskopojës, e freskët, e bukur dhe e pastër, ashtu është edhe karakteri i Rivaldo Pishtarit.
Rivaldo Pishtari! Ashtu si një pishtar që gjunjëzon errësirën edhe ky djalosh i veçantë, sfidon dhe ringjall shpresat.