Korça mbetet një nga destinacionet më të dashura gjatë festave. Edhe në dimër qyteti ruan një elegancë të heshtur. Ajri i ftohtë të godet butësisht, aroma e drurëve që digjen në oxhaqe dhe tymi karakteristik i tyre krijojnë atë ndjesi nostalgjie që në qytetet e mëdha gjithnjë e më shumë mungon. Është një aromë që të çon pas në kohë, tek dimrat e fëmijërisë, tek shtëpitë e ngrohta dhe mbrëmjet e qeta familjare.
Pazari i Vjetër mbetet zemra e qytetit. Aty ndërthuret e kaluara, e tashmja, historia, tradita, kultura.
Ndërsa barit rrugicave të tij, befas magjepsesh nga ritmi i hapave të tregtarëve të sotëm që ashtu si ata të dikurshmit vrapojnë kalldrëmeve për të siguruar bukën e përditshme. Eh sa histori të ëmbla e kujtime të çmuara fshehin dritaret me çardakë druri që të buzëqeshin tinëzisht.
Në mëngjes aromat e kafeve të ngrohta përzihen me zërat e banorëve.
Ja pse Korça më shumë se një qytet është gati si një libër me poezi që flet me gjuhën e zakoneve e që mbart krenarinë e një populli që diti ta ruajë bukurinë e të vertetës së thjeshtë e të përjetshme. Jetën si të tillë..
Mbrëmjet festive sollën gjallëri në çdo cep të qytetit. Lokalet gumëzhitën nga zërat e të rinjve, nga muzika e sofrës dhe zemrës korçare dhe tingujt e serenatave u dëgjuan deri në Drenovë.
Ditën pas festës, Parku “Rinia” u mbush me adhuruesit e natyrës që shëtitën, vrapuan ose thjesht shijuan ajrin e pastër që se gjen në Tiranë. Ecja pas vakteve të bollshme është tashmë një ritual i njohur për korçarët, pjesë e stilit të tyre të jetesës së qetë dhe të shëndetshme.
Për bizneset vendase, fundjavat e festave përfaqësojnë një ndër momentet më të rëndësishme të sezonit dimëror. Hotelet, restorantet, kafetë dhe dyqanet e vogla përfitojnë ndjeshëm nga fluksi i vizitorëve, ndërsa qyteti merr një impuls të dukshëm ekonomik.
Sipas të dhënave orientuese të publikuara në vitet e fundit nga INSTAT, gjatë festave të Nëntorit numri i vizitorëve në Korçë ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Kjo tendencë u reflektua qartë edhe këtë vit, me një fluks të ndjeshëm në hotele, bujtina dhe restorante.
Por përtej festës dhe turizmit, Korça mbetet një model i qytetarisë, kulturës dhe bashkëjetesës. Muzeumet, teatrot dhe traditat e ruajtura ndër breza i japin qytetit një status të veçantë në hartën kulturore të vendit, si një qytet që di të mikpresë dhe të ofrojë përvoja që mbeten gjatë në kujtesë.



