Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Pika e parë dhe e dytë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal” dhe “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 maj 2025”.
Pas diskutimeve, për dy çështjet në fjalë nuk u arrit dakordësia me tekstin aktual dhe do t’i kalojnë seancës plenare të 30 Tetorit me tekst të ripunuar.
Pika e tretë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës “Për zhvillim të mocionit me debat”.
Në lidhje me këtë çështje u vendos që të rishikohen propozimet që u bënë në Konferencën e Kryetarëve, që mocioni të kthehet në interpelancë urgjente dhe u caktua një afat 30 ditor për të vendosur qëndrimin në raport me mocionin dhe më pas do t’i kalojë seancës plenare.