Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar me shumicë votash rinovimin e kontratës me shoqërinë “Eco Elb” për depozitimin e mbetjeve urbane në landfill, një vendim që ka ndezur debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Me 27 vota pro dhe 11 kundër, këshilli vendosi që edhe për këtë vit tarifa të mbetet 2600 lekë për ton pa TVSH, e pandryshuar nga një vit më parë.
Por ky vendim nuk kaloi pa kundërshti. Këshilltarët e opozitës ngritën shqetësimin se qytetarët po vazhdojnë të paguajnë për një shërbim që, sipas tyre, nuk kryhet plotësisht, duke vënë theksin te mungesa e funksionimit të inceneratorit prej më shumë se dy vitesh.
Këshilltarja e Partisë Demokratike, Bianka Çopja, deklaroi se është e padrejtë që qytetarët të përballojnë kosto për një proces të paplotë, duke kujtuar se trajtimi i mbetjeve është pjesë thelbësore e kontratës dhe duhet të realizohet në tërësi.
Nga ana tjetër, administratori i “Eco Elb”, Leli Kaja, pranoi se incenerimi nuk realizohet prej rreth dy vitesh e gjysmë, por sqaroi se një pjesë e trajtimit vijon të kryhet. Sipas tij, tarifa aktuale mbulon vetëm pranimin dhe depozitimin e mbetjeve, pa përfshirë marzh fitimi për kompaninë. Kaja bëri me dije se inceneratori ndodhet në remont dhe po shqyrtohen mundësitë për rikthimin në funksion, ndërsa paralelisht po punohet për ndërtimin e një landfilli të ri.
Debatet u thelluan edhe më tej nga këshilltarë të tjerë të opozitës, të cilët paralajmëruan për mungesë kapacitetesh, rrezik të shtuar ndotjeje gjatë sezonit veror dhe kosto shtesë për qytetarët në rast të transferimit të mbetjeve në zona të tjera.
Pavarësisht këtyre shqetësimeve, shumica socialiste votoi pro rinovimit të kontratës, duke lënë në fuqi të njëjtën tarifë për një shërbim që, sipas opozitës, vijon të mos realizohet në standardet e plota të parashikuara.

