“Rikthimi në Bashkinë Cërrik është si rikthimi në bankat e shkollës ,një ndjesi pozitive , me plot kujtime e përgjegjësi, ku çdo hap i ri ndërtohet mbi mësimet e së shkuarës dhe mbi shpresat që, së bashku, të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.”
Me këto fjalë, Florenc Doka reagoi në rrjetin social Facebook, menjëherë pas emërimit të tij nga Këshilli Bashkiak si Kryetar i Komanduar i Bashkisë Cërrik. Ky vendim erdhi pas largimit të z. Andis Salla, i cili mori detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Florenc Doka nuk është emër i panjohur për qytetarët e Cërrikut. I lindur më 8 qershor 1976 në këtë qytet, ai është diplomuar në Drejtësi në vitin 1999 dhe është licencuar si avokat në vitin 2008. Që nga fillimet e tij në administratë, në vitin 2001, ai ka mbajtur një sërë pozicionesh kyçe në nivel vendor dhe qëndror, duke dëshmuar përvojë, përkushtim dhe integritet profesional.Në Bashkinë Cërrik, Doka ka shërbyer fillimisht si jurist dhe më pas si Drejtor Juridik dhe Zëvendëskryetar. Më vonë, ai kontribuoi në institucione të tjera publike, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, ndërsa në vitet 2012–2014 ka drejtuar sektorin ligjor dhe çështjet sociale në IEVP Elbasan. Po ashtu, ai ka mbajtur edhe postin e drejtorit të burgut të sigurisë së lartë në Peqin.
Për 7 vite, Florenc Doka ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Cërrik, një rol që i ka dhënë njohje të thellë mbi problematikat, prioritetet dhe nevojat e qytetit dhe komunitetit.Emërimi i tij në krye të bashkisë shihet si një vazhdimësi e natyrshme e punës dhe angazhimit të tij shumëvjeçar në shërbim të qytetit. Me një bagazh të pasur profesional dhe një lidhje të fortë me qytetarët e Cërrikut, pritshmëritë për një drejtim të qëndrueshëm dhe efikas janë të larta.Përmes fjalëve të tij të para, Doka përcolli jo vetëm emocionin personal të këtij rikthimi, por edhe vizionin e tij për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, mbi themelet e përvojës dhe bashkëpunimit me komunitetin.