Rikthehet pariteti në Reformën Zgjedhore: Mazhoranca dhe opozita në të njëjtën tryezë

Klasa politike shqiptare është gati të ulet në tryezë për të hartuar rregulla të reja për zgjedhjet. Mazhoranca ka bërë hapin e parë, duke rënë dakord për t’u rikthyer traditës së paritetit në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

“Së fundmi kemi rënë dakord edhe për vërejtjet që u ngritën mbi përfaqësimin në reformën zgjedhore, ku shumica dhe opozita do të kenë përfaqësim të barabartë. Do të ketë vend edhe për partitë e vogla që janë pjesë e Kuvendit, por jo e grupeve parlamentare, duke ruajtur ekuilibrin shumicë–pakicë”, deklaroi Damian Gjiknuri.

Megjithatë, konsensusi për ligjin e ri elektoral nuk duket i lehtë. Demokratët kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, çka nënkupton edhe ndërhyrje në Kushtetutë.

“Ky sistem nuk duhet të jetë më…”, u shpreh Oerd Bylykbashi, duke sinjalizuar që opozita nuk do të tërhiqet lehtë nga kërkesat e saj.

Tradicionalisht, sa herë afrohen zgjedhjet, Komisioni i Venecias shfaqet si “mjeku” i politikës shqiptare, duke dhënë rekomandime për të qetësuar palët. Por ekspertët ndërkombëtarë kërkojnë stabilitet në ligjin zgjedhor.

“Futbolli nuk do të ishte një sport argëtues nëse rregullat do të ndryshoheshin para çdo loje. Askush nuk do të kuptonte çfarë po ndodh. Po kështu edhe në zgjedhje: stabiliteti i ligjit zgjedhor është thelbësor për besimin në proces,” deklaroi Oliver Kask nga Komisioni i Venecias.

Ndërkohë, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, theksoi rëndësinë e kohës në këtë proces, duke paralajmëruar palët që të mos vonohen.

“Nëse reforma zgjedhore do të shtyhet në kalendarin grek, 5-6 muaj para zgjedhjeve do të jemi në të njëjtën situatë: dikush do t’i fitojë zgjedhjet, pala tjetër do t’i kontestojë,” tha Celibashi.

Përfaqësuesi i OSBE/ODIHR në tryezë garantoi mbështetje të plotë për procesin, ndërsa bëri të ditur se brenda së enjtes partitë politike do të kenë në dorë raportin final për zgjedhjet e 11 majit, i cili do të shërbejë si bazë për hartimin e reformës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME