Revoltë në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan: banorët kundër zgjerimit të varrezave, Bashkia këmbëngul se projekti është ligjor

Një shqetësim serioz qytetar ka shpërthyer në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, ku dhjetëra familje kanë ngritur zërin kundër projektit të Bashkisë për zgjerimin e parcelës së varrezave publike, e cila, sipas tyre, po afrohet në mënyrë shqetësuese me banesat ku jetojnë prej vitesh. Banorët flasin për frikë, ankth dhe pasiguri psikologjike, duke theksuar se projekti rrezikon të cenojë rëndë cilësinë e jetesës së komunitetit.

Sipas përfaqësuesve të lagjes, një grup banorësh i është drejtuar zyrtarisht Bashkisë së Elbasanit me një peticion, ku kërkojnë rishikimin e projektit dhe gjetjen e një zgjidhjeje alternative. Ata sqarojnë se nuk janë kundër zgjerimit të varrezave si nevojë publike, por kundërshtojnë faktin që parcelat e reja, sipas tyre, parashikohen në një distancë vetëm 10–15 metra nga banesat, çka do ta bënte të vështirë jetesën e përditshme, veçanërisht për fëmijët.

Nga projekti i Bashkisë Elbasan preken drejtpërdrejt aktualisht rreth 30 familje, ndërsa numri i atyre që preken në mënyrë indirekte është edhe më i madh. Banorët paralajmërojnë se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, janë të vendosur të ndjekin rrugë ligjore; madje, disa shprehen se mund të detyrohen të braktisin banesat dhe lagjen ku kanë investuar ndër vite.

Në mbështetje të shqetësimit qytetar ka dalë edhe këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, Artan Kana, i cili e konsideron të drejtë reagimin e banorëve dhe i bën thirrje Bashkisë të rishikojë projektin, duke gjetur një alternativë që respekton jetën, shëndetin mendor dhe mirëqenien e komunitetit.

Nga ana tjetër, Bashkia Elbasan ka reaguar zyrtarisht, duke sqaruar se projekti për zgjerimin e varrezave publike është i ligjshëm, i planifikuar dhe i mbështetur në dokumente urbanistike ndër vite. Sipas institucionit vendor, varrezat publike të qytetit kanë qenë historikisht të vendosura në këtë zonë, ndërsa zgjerimi i tyre është parashikuar që në Planin Rregullues të vitit 1988, i cili përcaktoi shtrirjen e varrezave në jug dhe juglindje të qytetit, pranë lumit Shkumbin.

Ky destinacion urbanistik është konfirmuar edhe në Planin e Përgjithshëm Vendor të miratuar në vitin 2016, ku zona e parashikuar për varreza nuk është ndryshuar. Për më tepër, sipas Bashkisë, në këtë plan përcaktohet qartë se e gjithë hapësira përkatëse, qoftë tokë shtetërore, bujqësore apo private, do të shpronëzohet në interes publik, pikërisht për zgjerimin e varrezave.

Bashkia thekson se, gjatë hartimit dhe zbatimit të projektit, janë marrë parasysh dhe janë respektuar distancat nga banesat, në përputhje me rregulloren për projektimin dhe ndërtimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke garantuar standardet ligjore dhe teknike.

Në reagimin e saj, Bashkia Elbasan nënvizon gjithashtu se banesat në këtë zonë janë ndërtuar si pjesë e një procesi informal, shpesh në kundërshtim me planet rregulluese ndër vite dhe pa marrë parasysh interesin publik. Megjithatë, institucioni vendor siguron se, pavarësisht kësaj situate të trashëguar, po respekton me rigorozitet kriteret ligjore në zbatimin e projektit aktual.

Përplasja mes shqetësimit qytetar dhe qëndrimit zyrtar të Bashkisë mbetet e hapur, ndërsa banorët e lagjes “Emin Matraxhiu” kërkojnë më shumë dialog, transparencë dhe një zgjidhje që të mos i detyrojë të jetojnë, siç shprehen ata, “krah për krah me varrezat”. Situata pritet të zhvillohet më tej në ditët në vijim, mes thirrjeve për mirëkuptim dhe interesit publik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME