Moti i keq në Shishtavec të Kukësit ka sjellë probleme edhe në furnizimin me energji elektrike.
Zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një postim në rrjetet sociale tha se ekipet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), janë në krye të detyrës, pavarësisht vështirësive të motit.
“Në Shishtavec të Kukësit ekipet e OSSH po punojnë pa ndërprerje për riparimin e rrjetit të tensionit të mesëm që furnizohet nga nënstacioni Rexhepaj. Reshjet e dëborës që kanë përfshirë zonën veriore kanë shtuar sfidat në terren, por gatishmëria jonë është rritur”, theksoi Balluku.
Ministrja Balluku vuri në dukje se grupet e elektriçistëve janë të angazhuar maksimalisht për të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji elektrike për banorët, edhe në këto kushte të vështira atmosferike.
Ditën e sotme vendi ynë është përfshirë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Në zonën e Alpeve dhe relievet malore në verilindje të vendit në lartësitë mbi 900-1000 metra po bien reshje dëbore me intensitet të ulët dhe hera-herës mesatar. Ndërsa pjesa tjetër e vendit është përfshirë nga reshje shiu.

