Reshje të pandërprera në Elbasan prej 14 orësh, por pa probleme serioze; inertet bllokojnë aksin Elbasan–Peqin në Murras

Zyra e Emergjencave Civile në Prefekturën e Elbasanit ka publikuar informacionin e përditësuar të orës 20:00 mbi gjendjen e motit dhe problematikat e mundshme në territor, pas vijimit të reshjeve përgjatë gjithë ditës së sotme.

Sipas të dhënave zyrtare, reshjet e shiut kanë vazhduar në të gjithë qarkun me intensitet të ulët deri mesatar, duke regjistruar 34 mm reshje nga ora 06:00 deri në 20:00. Pavarësisht prurjeve të shiut, strukturat e Emergjencave Civile në të gjitha bashkitë e qarkut raportojnë se nuk ka pasur probleme apo situata që të kërkojnë ndërhyrje.

Ndërkohë, në orën 19:45, nga Salla Operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan është marrë njoftimi për rënien e inerteve në zonën e quajtur Murras, përgjatë aksit nacional Elbasan–Peqin. Menjëherë janë angazhuar në terren punonjësit e firmës kontraktuese për pastrimin e rrugës, si dhe shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po menaxhojnë qarkullimin dhe sigurinë e automjeteve në segment.

Prefektura e Elbasanit njofton se është në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mundshëm gjatë orëve në vijim.

Pavarësisht reshjeve të vazhdueshme, qarku Elbasan vijon të jetë nën kontroll dhe pa rrezik për komunitetin, ndërsa ndërhyrjet institucionale janë të menjëhershme në çdo rast të evidentuar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME