Rënia dhe mjerimi i social-demokracisë europiane

Nuk besoj se ka shprehje tjetër më të përshtatshme për të treguar gjendjen e tanishme të social-demokracisë europiane se sa titulli i mësipërm. Ndonëse rënia dhe mjerimi i tyre vërehet dhe te ” simotrat” e tyre kudo në botë, duke filluar nga SHBA-të dhe vende të tjera të mëdha. Nëse në analiza të mëparshme kemi shkruar për një SOS dhe udhëkryq, sot flitet për një rrugë qorre ose udhë pa krye të social – demokracisë.

Por, le të jemi më konkretë duke bërë një “inventar” politik të partive social-demokrate, problematikave dhe disfatave të tyre zgjedhore në nivelet, vendore, kombëtare dhe europiane. Siç shihet dhe më poshtë, partitë social-demokrate në pushtet sot numërohen “vërtetë me gishta”, janë vetëm 7 nga 10 që ishin para dy vitesh! Por dhe ato me shumë probleme dhe rreziqe; nga brenda dhe nga jashtë. Le ta fillojmë me partitë në pushtet, pastaj te ato që “vegjetojnë” në opozitë, bashkë me shkaqet dhe pasojat e rënies dhe mjerimit ideologjik të social-demokracisë.

Aktualisht, Partia më e sukseshme social-demokrate ështështë Partia Laburiste e Britanisë së Madhe, e cila, pas gati 15 vitesh në opozitë, në zgjedhjet e vitit të kaluar korrën fitore plebishitare me liderin e ri Keir Starmer. Starmer ka krijuar mjaft shpresa brenda dhe jashtë vendit, sidomos drejt afrimit dhe bashkëpunimit aq të nevojshëm sot me BE-në; është si të thuash një “exit” nga “Brexit”. Tani mbetet për t’u parë jetëgjatësia e saj. “Kërcënimet” ndaj saj janë shtuar qysh tani brenda laburistëve nga krahu majtist i ish liderit 76 vjeçar Jeremy Corbin dhe jashtë saj nga Partia e ekstremit të djathtë “Reform UK” e Farage e rritur në sondazhe.

Pas laburistëve britanikë socialistët spanjollë të Pedro Sanchez me fitoren e tyre të trefishtë në zgjedhjet vendore, kombëtare dhe parlamentare më 2019 me 26 për qind, të përsëritur me 31 për qind në zgjedhjet e vitit 2024, edhe pse pa mundur të sigurojnë dot shumicën absolute si dikur. Sanchez konsiderohej deri tani vonë si ylli i social-demkracisë europiane, është zgjedhur dhe President i Internacionales Socialiste. Mirëpo disa raste aferash dhe skandalesh të bashkëpuntërëve të vet më të ngushtë në Parti kohët e fundit e kanë tronditur koalicionin e brishtë qeveritar me rritje të trysnisë për zgjedhje të reja të cilat mund të rezultojnë disfatë për ta.

Ashtu siç ndodhi me socialistët portugezë, të cilët i mbajtën për pak vite frenat e qeverisjes, mbasi humbën në zgjedhjet e majit të këtij viti me 22 për qind pas 32 për qind në zgjedhjet europiane 2024, për shkak të aferave dhe skandaleve të ndryshme qeveritare. Madje disa ditë më parë, kryeministri i vendit, Louis Montenegro i qendrës së djathtë, i cili dy vitet e fundit ka qeverisur me socialistët deklaroi se koalicionin e ardhshëm qeveritar nuk do ta vazhdojë më me ta; ai parapëlqen partinë e ekstremit të djathtë “CHEGA”. Ndonëse u krijua vetëm 6 vite më parë, në zgjedhjet parlamentare të këtij viti Chega u rendit e dyta, duke lënë pas me 2 mandate socialistët portugezë. Kështu, socialistët ranë dhe në bastionin e tyre, në Portugali, qoftë dhe si partnerë të dytë në koalicionin qeveritar të vendit kur 6 vite më parë qeverisnin të vetëm.

Ndërsa në Skandinavi, suksesin më të madh e kanë social-demokratët danezë të Mette Frederiksen, të cilët në zgjedhjet kombëtare dhe europiane në të dy rastet kanë siguruar mbi 27 për qind të votave. Edhe pse, qeverisja me aleatë të tjerë “tekanjozë” e vështirëson së tepërmi punën e saj. Dhe në Norvegji social-demokratët drejtojnë me një qeveri pakice në koalcion, ndërsa në Suedi dhe në Finlandë “kanë rënë nga vafti” me kohë.

Duke shkuar në Berlin, vërtet që atje social-demokratët në 20 vitet e fundit kanë qenë në pushtet si partnerët e dytë në koalicionin qeveritar, madje në tre vitet e fundit deri në maj 2025 e udhëhiqnin këtë koalicion. Dhe tani ata janë partnerë në koalicionin e Kancelarit Friedrich Merz të CDU/CSU-së. E megjithatë, gjendja e partisë 164 vjeçare , më e madhja dhe më e vjetra forcë politike social-demokrate në Europe është tejet problematike. As që muind të krahasohet me 20 apo ca më pak me 40 vite më parë kur ajo fitonte mbi 40 për qind të votave; me liderë të shquar historikë, nga Friedrich Ebert, te Ernst Reuter, Willy Brandt dhe Helmud Schmidt. Dhe gjatë 20 viteve të fundit në koalicion 4 herë me CDU/CSU-në më shumë ka ”vjelur” të mirat e pushtetit se sa të mendonte për të ardhmen e saj. Për pasojë, ka vite që nuk e kalon dot nivelin prej 15 për qind, si në zgjedhjet vendore, federale dhe europiane. Për më tepër, në vitin 2021, ajo bëri një mrekulli duke fituar papritur përballë CDU-së pa Merkelin me shpresa dhe pritshmëri të reja.

Mirëpo ish-Kancelari Scholz rezultoi dështim fatal me qasjet e tij “as mish as peshk”, “hë sot e hë nesër” dhe “tërhiq e mos e këput” si brenda dhe jashtë vendit. Për herë të parë në 80 vitet e fundit, ai u bë kancelari që nuk e mbylli dot as një legjislaturë, duke çuar në zgjedhjet e parakohshme të 23 Shkurtit, ku SPD-ja pësoi disfatën e saj më të rëndë nga viti 1890 kur sundonte me dorë të hekurt Bismarku! Tani ajo ka humbur dhe në bastionet e saj të dikurshme, kryeqendra të industrisë, të qymyrit dhe çelikut.

Edhe prania e tyre sot në qeverisje është aksidentale, për shkak se CDU/CSU dhe asnjë parti tjetër nuk prajon të qeverisë me AfD-në, e cila e kaloi SPD-në dhe në zgjedhjet federale me 20 për qind nga 16 për qind të SPD-së.

Dhe tani le “të shfletojmë katalogun” e partive social-demokrate të dështuara dhe në opozitë prej vitesh, për të mos thënë dekadash dhe me shanse shumë të vogla për të riardhur në pushtet. Duke filluar nga fqinji ynë më i afërt, PASOK-u legjendar që udhëhoqi Greqinë për dekada dhe e antarësoi në BE pas juntës së ushtarakëve përfaqëson rastin më të trishtueshëm të një dështimi spektakolar. Pikërisht në vitin 2014 PASOK u shkërmoq pas shpërthimit sizmik të krizës famëkeqe të borxheve; lideri i tij, Papandreu i ri u bë “viktima” e parë dhe më e madhe, duke paguar edhe për gjynahet e paraardhësve të vet e sidomos të “kalemxhiut” socialist, të ndjerit Kostas Simitis, korrupsionin dhe mashtrimet e qeveritarëve socialistë. Disa vite më parë, nga e keqja ai u bashkua me një forcë tjetër politike nën emrin KINAL ( Lëvizja për Ndryshim) si pjesë e formacionit të ri tre partiak KIDIS. Pas shumë përpjekjesh, tani renditet sërish i dyti në Parlamentin grek me 12 për qind të vendeve, edhe pse shumë larg shkëlqimit të dikurshëm, kur me Andrea Papandreun legjendar “bënte ligjin” në politikën greke me mbi 40 për qind të votave.

Në Turqi, social-demokratët kanë mbi 20 vite që lëngojnë nën thundrën e Presidentit Erdogan por dhe në grindje e përçarje me njeri tjetrin. Pikërisht ato nuk i lanë të shfrytëzonin fitoren e madhe në zgjedhjet vendore të vitit 2019, ku opozita social-demorate ’ pushtoi’ të gjitha qytetet e mëdha, përfshirë Stambollin dhe Ankaranë. Por kandidati i tyre Kemal Kiliçdaroglu humbi keq përballë Erdoganit dhe tani e ka futur në sherr partinë me akuza për blerje votash gjatë zgjedhjeve të brnedshme partiake vitin e kaluar ku ai kërkon sërish kreun, megjithë humbjen e turpshme që pësoi. Ndërkohë, janë arrestuar lideri më sfidant i Erdoganit, Kryebashkiaku i Stambollit Immaloglu dhe shumë të tjerë. Kësisoj, opozita rrezikon të shkojë në zgjedhjet e ardhëshme presidenciale me Kiliçdaroglu, të cilin Erdogan e “ha si kurabie” dhe kjo do t’i verë vulën katastrofës social-demokrate në Turqi. Ndaj Immagoglu thotë se akuzat e Kiliçdaroglusë “do të jenë betonimi i varrit tim”.

Fat të keq kanë patur dhe social-demokratët e shquar austriakë të cilët qysh nga viti 2017 kur humbën me yllin e tyre Sebastian Kern nuk e kanë marrë më vehten, edhe pse e djathta është tronditur nga afera të ndryshme korrupsioni. Ata siguruan në 23 për qind në zgjedhjet ferale më 2024, 12 për qind më pak se një vit më parë.

Në Itali, pas një letargjie dhe vale përçarjesh, social-demokratët italianë të PD-së duket se e kanë marrë vehten nën lidershipin e zonjës Elly Schlein. Duke rikuperuar energjitë pas ndarjes me ish liderin e saj karizmatik, dikur shpresa e madhe e social-demokracisë perendimore, Matteo Renzi, i cili premtoi shumë dhe nuk bëri pothaujse asgjë, veç përçarjes së partisë dhe largimin prej saj në një parti tjetër më të vogël. Vitin e kaluar në zgjedhjet europiane dhe ato vendore ata fituan 22 për qind nga 40 për qind në vitin 2014. Edhe laburistët izraelitë nuk po e marrin vehten, duke u katandisur “kokoshi një thelë” përballë Netianahut, me gjithë autoritarizmin dhe aferat e korrupsionit.

Mirëpo dhe atje ku social – demokratët janë si partnerë të dytë apo të tretë në koalicion, ata kanë pësuar “firo” të mëdha zgjedhore. Ndërkohë, që kanë rënë më në fund dhe në Belgjikë dhe Luksemburg edhe si partnerë koalicioni.

Veç Rusisë ku social-demokracia nuk ekziston as si emër, fat tragjik ka patur dhe PS-ja franceze, e cila në zgjedhjet parlamentare 2017 dhe ato evropiane më 25 Maj 2019 pësoi një “Waterlo” zgjedhore me vetëm 6 për qind të votave në zgjedhjet kombëtare dhe europiane; tani është pothuajse inekzistente. Ajo shiti dhe selinë e famshme për të shmangur falimentin financiar!!! Bëhet fjalë për një parti që i ka dhënë Francës Presidentin e madh, François Mitterand dhe Kryeministër Lionel Jospin, Komisionit Europian emblematikun Jacques Delors dhe Internacionales Socialiste Pierre Mauroi. Jo mirë paraqiten dhe “vëllezërit” holandezë që luhaten në 5,7 për qind, edhe pse në zgjedhjet europiane shënuan një rritje të ndjeshme.

Në vendet e ish Evropës Qëndrore dhe Lindore dhe në Ballkanin tonë, me përjashtim të Rumanisë ku janë në pozita më të forta me 21 për qind por kanë rënë për shkak të përçarjeve të shumta me Presidentin e Republikës, të Bullgarisë dhe Kroacisë, partitë e tjera social-demokrate kanë kohë që kanë lëshuar “SOS” dhe konkretisht: PS hungareze ka rënë 10 për qind, ajo çeke me 7 nga 40 për qind 20 vite më parë dhe 3 për qind në ato evropiane; ajo e Sllovakisë në zgjedhjet presidenciale fitoi 16 nga 28 për qind katër vite më parë; kjo bën mjaft përshtypje se në këto vende, social-demokratët kanë qenë pararojë historike e anti-komunizmit dhe demokracisë. Ndërsa në Poloni, është bërë një lëmsh i vërtetë dhe partitë social-demokrate janë pothuajse inekzistente.

Për pasojë, edhe Grupi Socialist/Social-Demokrat (S&D) në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të 25 majit 2019, ndonëse e mbajti vendin e dytë, u tkur në 152 vende ose 40 eurodeputetë më pak se më 2014 dhe 50 më pak se më 2009. Ndërsa pas zgjedhjeve të vitit 2024 ky raport u përkeqësua dhe më tej. Kjo “pikiatë” duket më qartë kur krahason zgjedhjet evropiane 2024 me ato të 20 viteve më parë. Ndonëse atëhere BE kishte vetëm 15 vende antare, social-demokatët fituan 180 vende ose 27 më shumë se më 2019, ndonëse BE ka 27 anëtarë!!! Kjo rënie e peshës social-demokrate në nivele europiane pasqyrohet dhe në faktin se nga viti 1994 kur u largua ish presidenti emblematik i Komisionit Europian, socialisti francez Jacque Delors, nuk ka patur më asnjë pasardhës nga e majta social-demokrate dhe vetëm një president i Parlamentit Europian! E njëjta tabllo vërehet në përbërjen e komisionerëve të BE-së, ku mbizotëron prapë e djathta e qendrës.

Natyrisht që kjo gjendje alarmante ka shkaqet dhe arsyet e saj, të cilat po i tregojmë në mënyrë fare të përmbledhur këtu më poshtë. Partitë social – demokrate janë ndëshkuar nga elektorati shumë më rëndë se e djathta e qendrës për gabimet dhe dështimet e tyre katastrofale të viteve të fundit në përballimin e krizave dhe sfidave serioze, sidomos ato të azilit, emigracionit, sigurisë, terrorizmit ndërkombëtar etj. Nga kjo situatë kanë përfituar forcat populiste dhe të ekstremit të majtë/djathtë, të cilat kanë bërë pothuajse tërësisht “ pronë“ të tyre tematikën e fushatave zgjedhore, duke e kufizuar atë te të këqiat e lartpërmendura, ku social-demokratët janë treguar të lëkundur e të pavendosur.

Faktor tjetër specifik negativ për qendrën e majtë ka qenë koninktura ekonomike dhe sociale tejet e pafavorshme e viteve të fundit me vazhdimin e mbylljes së uzinave e fabrikave, e shoqëruar me dobësimin e sindikatave, shtylla dhe baza solide e social-demokracisë. Kjo gjendje ka prekur dhe vende të pasura si Gjermania, Franca dhe të tjera ku varfëria ka kapur ¼ e popullsisë. Mirëpo, dhe kur kanë ardhur në pushtet, ndryshe nga premtimet, qeveritë social-demokrate ta kanë vazhduar me tepërim e pa kritere refrenin mbi shkurtimin e fondeve, prekjen e sigurisë sociale, njëloj si e djathta, duke zhgënjyer tej mase elektoratin e tyre. Sidomos vitet e fundit ata kanë humbur vazhdimisht terren në fushën e lojës politike; edhe “Rruga e Tretë ose e Mesme” e nisur në fillimin e viteve 2000 nga laburistët britanikë dhe social-demokratët gjermanë nuk dha rezultatet e pritura.

Kryesorja, ndryshe nga konservatorët që kanë pasur dhe ende kanë më shumë mundësi dhe hapësira për të lëvizur e për të bërë aleanca nga e djathta, jo vetëm me liberalët bashkëpunues por tashmë edhe me ekstremin e djathtë, duke i “rrëmbyer” atij sa më shumë terren, social-demokratët e kanë pasur pothuajse të pamundur të lëvizin apo hapen më majtas. Sepse atje janë të majtët tradicionalë që nuk “tunden” nga istikamet ideologjike, të Gjelbërit kokëfortë, dhe tashmë forca populiste të majta, si Ciudamos në Spanjë, Syriza në Greqi, apo dhe lëvizje të gjera gjithëpërfshirëse centriste si “En Marche” e presidentit Macron në Francë etj.

Për pasojë, partitë social-demokrate nuk kanë arritur të bindin në fushë betejat zgjedhore me temat e tyre të jetës së përditshme me të cilat vite e dekada më parë thithnin gjysmën e elektoratit. Këto shqetësime dhe alternativat e tyre për shkollat, kopshtet e fëmijëve, taksat, mbrojtjen sociale etj. nuk kanë “ngjitur” e ca më pak ta ndezin apo elektrizojnë situatën. Këtë gjë e kanë bërë më së miri forcat populiste dhe të ekstremit të djathtë me perceptime publike por pa alternativa të vërteta.

Veç sa sipër, social-demokratët janë shtrënguar të veprojnë në një klimë, mjedis dhe sfond politik e social shumë të disfavorshëm për ta. Dihet se ata janë shquar dhe e kanë në ADN-në e tyre moderacionin, arsyen, logjikën, tolerancën dhe përpjekjet për akomodimin e pozicioneve të sa më shumë palëve për zgjidhjen e situatave delikate. Mirëpo, në fushatat zgjedhore të lartpërmendura ndodhi e kundërta, duke e çuar debatin publik, politik dhe atë mediatik në një radikalizim absurd të paparë.

Shkaku i fundit – por jo më pak i rëndësishëm – i mjerimit filozofik dhe praktik të social-demokracisë është mungesa e theksuar e liderëve të saj karizmatikë, me vizion dhe guximtarë politikë. Në një kohë kur programet e partive kanë prirjen për t’u afruar drejt njehsimit, pavarësisht nuancave, vendimtar për fitoren në zgjedhje është bërë roli, statura dhe personaliteti i liderëve të partive. Social-demokratët evropianë kanë vërtet kryetarë, por jo liderë, e ca më pak burra shteti që krijojnë profilin e tyre në vite betejash zgjedhore, për të mos thënë për dekada dhe jo brenda një stine politike. Këtë mungesë e tregon më qartë SPD-ja gjermane, e cila 15 vitet e fundit ka ndryshuar 10 kryetarë, rekord më vehte; gjithsesi shumë larg emblemave të saj, Brandt dhe Schmidt që i njihte bota, kurse këta të sotmit nuk i njeh as lagja.

Fitorja e social-demokratëve në Britani, Poloni, Spanjë dhe Danimarkë i atribuohet shumë dhe liderëve të tyre karizmatikë Keir Starmer, Donald Tusk, Pedro Sançez dhe Mette Frederikson. E pra, tashmë, ndihet shumë mungesa e liderëve karizmatikë që të paktën t’u afrohen gjigantëve të tillë social-demokratë, Brandt dhe Schmidt në Gjermani, si Mitterand dhe Delors në Francë, Tony Blair në Britani, Gonzales dhe Zapateros në Spanjë, Suarez e Guteres në Portugali, Vranitzky në Austri, Olaf Palme në Suedi, Stoltenberg në Norvegji, Rassmusen në Danimarkë, D’Alema dhe Kraksi në Itali, etj.

Në përfundim le të theksojmë se pothuajse të gjitha këto parti dhe grupime social – demokrate kanë qenë dhe janë aleate të PS-së sonë, e vetmja prej tyre që qeveris e vetme për 12 vite rresht. Mirëpo, po t’i hysh hollë hollë, dhe PS-ja nuk është e imunizuar nga këto dukuri negative, përkundrazi; ndaj janë të domosdoshme, madje të ngutshme analizat dhe nxjerrja e mësimeve të duhura, që të tilla dukuri të mos e prekin PS-në tonë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Zgjedhjet në Kosovë, Bashkimi Europian: Presim tranzicion të rregullt të pushtetit

Bashkimi Europian e përshëndeti rrjedhjen e qetë të procesit...

Balluku: Rrjeti i ri 20 kV në Velipojë, më shumë siguri energjetike për banorët dhe turistët

Velipoja është shndërruar në një qendër të rëndësishme ekonomike...