Reforma Territoriale : Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo: Madhësia e bashkive vazhdon të ndikojë në performancë

TIRANË, 7 prill /Albania Express News/ Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi sot seancë dëgjimore me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, për t’u njohur me gjendjen e pushtetit vendor dhe sfidat e tij.

Gjatë fjalës së tij, ministri Demo paraqiti perfomancën dhe shërbimet e reformës territoriale të miratuar në vitin 2014, e cila u implementua në vitin 2015.

“Kemi 61 bashki, 12 qarqe. Ajo çfarë është për t’u nënvizuar është fakti se nëse i referohemi një dekade më pas kemi një pasqyrë të qartë mbi atë që ka funksionuar dhe ku duhet të ketë përmirësime të domosdoshme”, u shpreh ai.

“Reforma e vitit 2015 krijoi një konsolidim të hartës territoriale, krijoi një zgjerim të funksioneve vendore, ku shtuan 7 funksione bazë për bashkitë, përmirësoi mirëqeverisjen vendore dhe krijoi kushtet e duhura për të pasur një mirëmenaxhim bazuar dhe mbi performancë. Sot kemi një sistem vendor që funksionon dhe kjo është falë reformës”, tha Demo.

Por shtoi ministri, tani kemi kushte që kanë ndryshuar pas 10 vitesh. Ai u ndal tek ndryshimet demografike.

“Kemi një territor që sfidat që ballafaqohen, janë ndryshe nga 10 vite më parë. Sfida që do të kemi janë të atilla që kërkojnë një përmirësim të gjithë sistemit që kemi në nivel vendor”, tha ai.

Demo theksoi se treguesit financiarë tregojnë se reformat pati një efekt pozitiv.

“Të ardhurat vendore në krahasim me 2015 janë rritur me 166%. Këto janë të ardhura që vet bashkitë gjenerojnë në buxhetin lokal. Pesha në buxhet e të ardhurave vendore është rritur nga 36 në 51%. Investimet për frymë janë rritur në 78% dhe detyrimet e prapambeturat që u trashëguan në 2015 janë ulur nga 12 miliardë lekë që ishte për të gjitha bashkitë në vend në 3,2 miliardë lekë që është sot”, tha ai.

Në aspektin territorial, Demo theksoi se “kemi eliminuar fragmentimin formal, por barazitë janë shumë të theksuara në nivel lokal midis bashkive”.

“Pushteti vendor tashmë ka 41 funksione, 7 prej tyre u janë kaluar bashkive në reformën e fundit, por jo gjithmonë të shoqëruara në kapacitet njerëzore dhe me paqartësi ligjore”, tha ai.

Sipas Demos, problematike “mbetet varësia nga transferta e buxhetit qendror dhe kapacitet të kufizuara nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik. Këto kapacitete janë më të theksuara në bashkitë e vogla”.

“Riorganizimi territorial nuk e ka zgjidhur pabarazinë e kapaciteteve, madhësia e bashkive vazhdon që të ndikojë ndjeshëm në performancë. Bashkitë që janë mbi 50 mijë banorë janë mbi mesataren kombëtare dhe bashkitë nën 50 mijë banorë, përgjithësisht janë nën mesataren. Kjo lidhet me vetë potencialin që bashkitë kanë”, tha Demo.

Sipas ministrit, disa bashki mbeten shumë të vogla për të qenë eficiente për sa i përket përdorimit të ekonomisë së shkallës.

Duke u ndalur tek sfidat, ministri tha se “sfida e dekadës së dytë është ta kthejmë decentralizmin nga një formë normative, në atë i cili jep produkt lokal që të jetë më funksional”.

“47% e bashkive të vogla në këto 10 vite kanë sfida të theksuara sa i përket nivelit të shërbimeve. Bashkitë që janë më të mëdha kanë një performancë më të lartë”, tha ai.

Demo shtoi se “zhvillimi ekonomik lokal ku bashkitë më të vogla kanë kapacitet për të gjeneruar rritje është një faktor që duhet marrë në konsideratë”.

“Sa i përket modernizimit të qeverisjes digjitalizimi dhe standardet nuk janë të njëjta në të gjithë territorin”, tha Demo.

Sa i përket perfomancës dhe shërbimeve, ministri theksoi se “çdo bashki duhet të garantojë një standard minimal kombëtar për të gjithë qytetarët në të gjithë territorin”.

“Sa i përket kapaciteteve njerëzor vendore, bashkitë duhet të arrijnë të ndërtojnë ekspertizë të qëndrueshme në kuadër edhe të sfidave të integrimit evropian”, u shpreh Demo.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME