Reagime nga politika për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos: “Lideri që modernizoi Shqipërinë dhe ribëri të majtën”

Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, ka sjellë reagime të shumta nga politika shqiptare, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta. Figura e tij, që shënoi një epokë të rëndësishme të tranzicionit shqiptar, është përkujtuar me respekt dhe vlerësim nga personalitete të ndryshme të jetës publike.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një mesazh në rrjetet sociale, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të liderit socialist, duke vlerësuar rolin reformator dhe liberal që Nano pati gjatë karrierës së tij politike.

“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, liderit socialist dhe të tranzicionit të Shqipërisë në vitet ‘90 dhe 2000. Fatos Nano do të mbahet mend si lideri liberal dhe reformator. Ngushëllimet i shkojnë familjes, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë të tij. I paharruar!”, shkroi Presidenti Begaj.

Në të njëjtën linjë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e kujtoi ish-kryetarin e Partisë Socialiste si njeriun që modernizoi politikën dhe e mbajti të majtën shqiptare të lidhur me interesin kombëtar.

“Sot e humbëm Kryetarin Nano. Do ta kujtojmë gjithmonë udhëheqësin e parë të Partisë Socialiste Fatos Nano për kontributin vendimtar në 14 vite me radhë kur Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment nga graviteti i interesit kombëtar. Fatos Nano modernizoi Shqipërinë, duke modernizuar partinë. Faleminderit për mundësinë që më dhe të mësoj shumë prej teje. U prehsh në paqe, shef”, shkruan Balla.

Deputeti socialist Erion Braçe e përmblodhi figurën e Fatos Nanos me një fjali të shkurtër, por domethënëse:

“Fatos Nano, njeriu që ribëri të majtën shqiptare, u shua sapo! Pusho në paqe dhe faleminderit për gjithçka!”, shkruan Braçe.

Nga radhët e opozitës, mesazhi i ngushëllimit erdhi nga deputeti demokrat Tritan Shehu, i cili theksoi se ndarja nga jeta e Fatos Nanos përbën humbje jo vetëm për familjen socialiste, por për gjithë politikën shqiptare.

“Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Z. Fatos Nano! Një humbje për familjen socialiste. Një humbje për politikën shqiptare. Ngushëllime familjes së tij, bashkëpunëtorëve në vite, miqve e shokëve. Ngushëllime!”, shkroi Shehu.

Ndërsa kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, kujtoi Fatos Nanon si një njeri tolerant, të ditur dhe me shpirt falës.

“Një njeri që unë nuk do ta harroj kurrë ishte Fatos Nano. Një njeri me një zgjuarsi të lindur, por edhe i thellë në dituri. Ai udhëhiqej nga dashuria për njerëzit. Nuk dinte të hakmerrej, por dinte të falte. Shqiptarët ishin me fat që patën në një epokë të vështirë një njeri tolerant, social-liberal dhe të ditur si ai. U prehsh në paqe, miku im. Qofsh i parajsës!”, shkroi Duka.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME