Ujërat Termale të Bënjës çdo vit tërheqin mijëra vizitorë vendas e të huaj.
Një tjetër atraksion turistik në zonë është edhe Ura e Kadiut, Monument Kulture i Kategorisë I, që pozicionohet në të hyrë të fshatit Bënjë, në një harmonizim të bukur me ambientin rrethues.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto të kësaj ure, ku bashkohet madhështia e natyrës me atë të një monumenti kulture.
Fotografuar për konkursin “Wanderlust in Albania 2”, Rama e cilësoi këtë “një tjetër perlë të vendit tonë”.
Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.
Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.
Një prej tyre ishte edhe fotografia e Urës së Kadiut, e njohur ndryshe si ura osmane, e cila është ndërtuar në mesin e viteve 1700 dhe ruan edhe sot funksionin e saj.
Ura ngrihet mbi një hark të vetëm me hapësirë drite 6,4 m. Qemeri i harkut përfshirë dhe arkivoltën ka trashësi 70 cm. Arkivolta shkel me dhëmbë 7 cm mbi harkun e poshtëm në ngritjen e urës, ku është marrë parasysh ngushtica minimale e përroit si dhe fortesa e brigjeve duke e ndërtuar në pjesën më të ngushtë dhe duke u mbështetur në brigjet shkëmbore të qëndrueshme.
Në pjesën qendrore të arkivoltës janë përfshirë katër kolona të vogla prej shtufi.
Punuar e gjitha me gur nga mjeshtër vendas, ajo tërheq vëmendjen edhe nga estetike.

