Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj protestës së mbrëmshme të opozitës, duke e krahasuar atë me forma të dhunës së organizuar që, sipas tij, nuk kanë precedent në Europën demokratike nga koha e partive famëkeqe të shekullit të kaluar.
Në reagimin e tij në rrjetin social X, Rama thekson se në vende të ndryshme europiane ka protesta nga grupe të llojeve të ndryshme, nga ekologjistë e studentë, deri te ekstremistë, por nënvizon se vetëm një parti parlamentare, sipas tij, e ka dhunën si pjesë të pandarë të aktivitetit politik që nga lindja e saj.
“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona…”, shkruan Rama
Kryeministri akuzoi organizatorët e protestës për shkatërrim prone, sulme ndaj institucioneve dhe përdorim të personave të maskuar e të rekrutuar për akte dhune, duke i cilësuar protestat si shfaqje dëshpërimi dhe degjenerimi politik.
“Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat”, thekson Rama.
“Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm”, nënvizon Rama.
Ai shpreh gjithashtu solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur gjatë protestës, duke u uruar shërim të shpejtë dhe duke dënuar ashpër dhunën ndaj forcave të rendit.
“Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër”, përfundon reagimin kryeministri Rama.

