Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të premte anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar, të cilët u prezantuan një ditë më parë edhe në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ndau një “fotoalbum” të qeverisë së re, të cilën e cilësoi si “qeveria e Shqipërisë 2030 në BE”.
Kabineti i ri përfshin ministra që kanë marrë sërish besimin e tij, fytyra të reja si dhe dikastere të riformatuara. Asambleja Kombëtare e PS-së bëri bilancin e mandatit të fundit katërvjeçar dhe prezantoi zyrtarisht qeverinë “Rama 4”.
Pas tre mandateve të plota, Rama hyn në historinë e Shqipërisë demokratike si i vetmi kryeministër që qeveris për të katërtën herë radhazi.
Qeveria e re pritet të votohet në Kuvend më 12 shtator, sipas dekretit të Presidentit Bajram Begaj.