Rama në Bruksel për “Forumin e Zgjerimit”: BE synon një kapitull të ri në procesin e zgjerimit

Në Bruksel zhvillohet sot “Forumi i Zgjerimit”, një platformë e re e nivelit të lartë e organizuar nga Komisioni Europian dhe aktorë të tjerë të Bashkimit Europian. Në këtë ngjarje do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

“Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Bruksel në kuadër të agjendës së tij për çeljen e grupkapitullit të fundit të negociatave, do të jetë sot pasdite pjesë e panelit të forumit”, njofton Kryeministria. Sipas saj, “Forumi i Zgjerimit të BE-së është nisma kryesore e Komisionit Evropian, që synon të ngrejë më lart diskutimin mbi zgjerimin e Bashkimit si një projekt të përbashkët politik, shoqëror dhe ndërbrezor”. Ngjarja do të zhvillohet nën moton “Plotësimi i Unionit, Sigurimi i së Ardhmes Sonë”.

Forumi krijon një hapësirë të veçantë ku drejtues politikë të vendeve kandidate takohen me liderë të vendeve anëtare, përfaqësues të institucioneve europiane dhe ekspertë të integrimit.

Ky format i ri synon të forcojë dialogun mbi reformat kyçe, me fokus të veçantë te sundimi i ligjit, arsimi dhe mundësitë e reja për të rinjtë, si edhe te stabiliteti e mirëqenia e shoqërive të vendeve që aspirojnë anëtarësimin.

“Forumi i Zgjerimit” pritet të shërbejë si pikë referimi për profesionistët dhe politikëbërësit e përfshirë në agjendën e zgjerimit — një nga prioritetet kryesore të mandatit 2024–2029 të Komisionit Europian, i konsideruar si më ambiciozi i dekadës së fundit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME